Laura Cooper: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mirëpresin thellimin e partneritetit...

Laura Cooper: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mirëpresin thellimin e partneritetit me Kosovën

29.11.2017 22:43:22

Kështu deklaroi zv/ndihmës sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, në ceremoninë e përmbylljes së donacionit kushtuar renovimit të shkollës fillore “Jeronim de Rada”, në Ferizaj.

Drejtues të arsimit në Kosovë dhe ata të komunës falënderuan SHBA-të për vazhdimin e angazhimit të saj për të mirën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin thellimin e partneritetit të qëndrueshëm me Kosovën në të gjitha nivelet. Kështu deklaroi Zv/ndihmës sekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper, në ceremoninë e përmbylljes së donacionit dedikuar renovimit të shkollës fillore “Jeronim De Rada”, në Ferizaj.

“SHBA-të janë jashtëzakonisht krenare për bashkëpunimin me ju, në investime për të ardhmen e Kosovës, në fëmijët e saj. Këto renovime që vlerësohen që kanë kushtuar mbi 350 mijë dollarë, janë mundësuar nga programi për ndihmë humanitare i komandës së forcave amerikane për Evropë dhe nga korpusi i xhenios i armatës së SHBA-së”. tha Cooper

Drejtuesit e Arsimit në Kosovë dhe qeveria lokale falënderuan SHBA-të për vazhdimin e angazhimit të saj për të mirën e Kosovës.

“Prandaj edhe sot vjen ky investim për krijimin e kushteve më të mira dhe ngritjes së cilësisë së arsimit nëpër shkollat tona”, tha Heset Sahiti –Zëvendës ministër i Arsimit të Kosovës.

Muharrem Svarqa, kryetar në detyrë i Ferizajt  tha se, pa kontributin dhe ndihmën e SHBA-së sigurisht që nuk ishin realizuar as ëndrrat tona për lirinë e Kosovës, ndërkaq tash amerikanët shërbejnë jo vetëm si faktor stabiliteti këtu, por edhe si faktor bashkëpunimi dhe kooperimi e ndihme.

Gjatë përmbylljes së donacionit u shfaq edhe një program nga nxënësit e kësaj shkolle.