13 të infektuar nga Tirana në Itali, irritohet guvernatori i Toscana-s: Bllokoni urgjent fluturimet

19.07.2020 21:23:48

Gazeta italiane “Il Giornale” ka raportuar se në 24 orët e fundit në Toscana të Italisë kanë rezultuar me Coronavirus 16 raste të reja.

Por e veçanta e këtij lajmi, sipas medias italiane është se 13 prej tyre kishin shkuar nga Shqipëria.

Për këtë ka reguar menjëherë Guvernatori i Toscana-s, Enrico Rossi, i cili kërkoi në mënyrë kategorike bllokimin e fluturimeve.

“Qeveria duhet të ndërhyjë, në veçanti ministritë e Brendshme dhe Shëndetësisë. Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, do të ketë vetëm një mundësi: bllokimin direkt të fluturimeve”, ka kërcënuar guvernatori Rossi.

Media italiane gjithashtu shkruan se menjëherë pas konfirmimit të rasteve të infeksionit, që vinin nga Tirana, guvernatori i rajonit të Tascanas ka kontaktuar me konsullatën e Shqipërisë, duke i kërkuar të kontrollojë udhëtarët.