17 mijë turistë kërkojnë ndihmë mjekësore në qendra shëndetësore të Shqipërisë

31.07.2016 10:28:01

17 mijë turistë kanë marrë ndihmë mjekësore në 25 qendrat shëndetësore të hapura në të gjithë vendin përgjatë sezonit turistik, ka pohuar ministri i Shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të kryer në qendrat shëndetësore të Bashkisë së Himarës.

Shërbim të shpejtë dhe të specializuar e ka cilësuar Beqaj hapjen e këtyre qendrave pranë zonave bregdetare.

“Praktikisht, në të gjithë vendin deri më sot kemi rreth 16-17 mijë raste që janë shërbyer. Vetëm në atë pjesë që mbulohet nga qendra shëndetësore e Bashkisë së Himarës, që fillon nga Palasa e shkon deri në Qeparo, madje në ndonjëherë nuk arrijmë të masim kufijtë administrativë po shkojmë aty ku vjen thirrja, jemi në 1400 persona të shërbyer me vizita, me urgjenca dhe një numër më të vogël referimesh për në spital,” ka nënvizuar Beqaj.

Praktikisht, këtë vit janë 25 qendra shëndetësore në bregdet dhe në zonat malore.

“Mesatarisht kemi 15-20 vizita në ditë dhe deri në 8 urgjenca. Vetëm javën e fundit kemi bërë 90 vizita të përgjithshme dhe 50 urgjenca. Ajo që vlen të theksohet është se kemi të gjitha materialet dhe barnat e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që na drejtohen për ndihmë mjekësore”, tha mjekja Denisa Grembi.