18 raste të reja me koronavirus, Komuna e Ferizajit ka një lutje për qytetarët

10.04.2020 22:41:30

Pas 18 rasteve të reja me koronavirus, Komuna e Ferizajt i lut qytetarët të rrinë në shtëpi

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar 18 raste të reja me Covid-19 në Komunën e Ferizajt.

Këto raste e kanë çuar në 20 numrin e të infektuarve në këtë komunë.

Ndërkohë, Komuna e Ferizajt nëpërmjet një komunikate për media menjëherë ka reaguar për të kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Bashkëqytetarë, ju lutemi qëndroni në shtëpi. Nga mostrat e marra në Ferizaj për rastet e dyshimta me virusin COVID-19 përmbysin numrin e ulët të të infektuarve me këtë virus në Ferizaj. Janë plot 18 persona nga Ferizaj që sonte nga testet e bëra kanë rezultuar pozitiv në testin e virusit COVID – 19. Kryesisht janë persona kontakti, familjarë të të infektuarit nga fshati Sazli që ndërroi jetë ditë më parë, por edhe qytetarë nga vendbanime të tjera në territorin e Ferizajt”, thuhet në komunikatën e komunës së Ferizajt.

Sipas tyre rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga Komuna e Ferizajt (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinoc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare).

“Profesionistët shëndetësor po bëjnë gjithë çfarë është e mundur që situata të mbahet nën kontroll, Shtabi Emergjent ka ngritur kapacitetet e saja vepruese në shkallë të gjerë, porse është e domosdoshme të zbatohet thirrja për qëndrimin në shtëpi”, thuhet më tej në komunikatë. Komuna edhe një herë i ka bërë lutje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. “Ferizajas, ju lutemi, qëndroni në shtëpi, është në dorën tuaj fati e shëndeti i qindra bashkëqytetarëve, mos lejoni që të bëheni shkaktarë të një shpërthimi të frikshëm epidemik që do të rrezikonte masivisht shëndetin publik”, thuhet në fund të komunikatës.