18 vjet nga fillimi sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe

24.03.2017 16:18:57

Momenti i sulmeve të para të NATO-s, solli emocione dhe shpresë për një kthesë historike të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë.

FSK-ja, të shndërrohet në Ushtri me kompetenca adekuate, respektivisht në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).!

Nga Jusuf BYTYÇI
Prishtinë, 24 mars
Pikërisht 18 vjet më parë, mbi territorin e Kosovës, nisën sulmet ajrore të Forcave aleate të NATO-s ndaj caqeve dhe obektivave serbe. Ky veprim, që ndodhi në kuadër të shënimit të përvjetorit të 50-të krijimit të kësaj aleance, ishte shpresa madhore, pothuaj e vetme e shpëtimit të popullit shqiptar nga zbrazja e vatrave tona! Krahas veprimit intensiv goxha të gjatë politik të lidershipit të Kosovës që shumë vite më parë kishte paralajmëruar rrezikun që Serbia okupatore po i kanoste Kosovës dhe popullit shqiptar, si shumicë, u desht domosdoshmërisht edhe rezistenca e armatosur e UÇK-së, për më tepër se një vit luftë. Mirëpo, u desht domosdorisht edhe ndërhyrja e forcës më të madhe ushtarake në Botë-NATO-s, që të ndalë gjenocidin serb të Serbisë Milosheviqiane, ndaj shumicës shqiptare në Kosovë. E, populli shqiptar, i organizuar përmes luftëtarëve të UÇK-së, nuk ndalnin përpjekjet për arritjen e lirisë kudo e në të gjitha frontet e luftës. Shqiptarët të vetëdijshëm për gjithë arsenalin e armatimit serbo-sllav, dhe pavarësisht nga çmimi, ishin të gatshëm të sakrifikohen për lirinë dhe Pavarësinë e tyre.
I madh e i vogël në pritje të ndriçimi të hapësirës qiellore
Të vetëdijshëm për forca të pabarabarta në aspektin e armatimit, shqiptarët, Dr. Ibrahim Rugova, i zgjedhur dy herë president i Republikës së Kosovës me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve, si dhe bashkëpunëtorët kanë kërkuar nga personalitetet më të rëndësishme të Botës Demokratike, SHBA-ve dhe Evropës, që të pengojnë veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Populli i Kosovës me vullnetin e shprehur edhe në referendum gjithëpopullor 1991, po kërkonte mëvetësi nga Serbia. Kosova e Pavarur, ishte opsioni kryesor dhe i panegociueshëm i liderit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në të gjitha takimet me liderët-presidentët e SHBA-ve, më parë Gjorgj Bushin e parë e më pas Bill Klintonin, si dhe me liderët e shteteve më të fuqishme Evropiane.
Qytetarët shqiptarë, baballarë, nëna, burra, gra, të rritur, të mitur e fëmijë, 18-vjet më parë, pritnin me sy e veshë, faktet e paralajmërmimeve të liderëve më të fuqishëm të Botës Demokratike, udhëhequr nga SHBA-të, për nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve e objektivave të Serbisë e të së ashtuquajturës Jugosllavi, për ndaljen e gjenocidit serb ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë.
Emocione, lotë gëzimi, por edhe dro për kundër veprimin e Serbisë Milosheviqiane
Dhe në fakt, ndodhi 24 Marsi 1999, ndodhi fushata e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-atlantike-NATO-s, kundër caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë dhe në Serbi. Ishte vendim i shumë pritur, moment që mezi e prisnin shqiptarët, pa dallim moshe, e më kurreshtarë ishin prindërit tanë, baballarët, nënat, të moshuarit. Të tillë ishin edhe Baba Lushë, axha im, si dhe Baba Malë, babi im. Të dy, që nga orët e vona të pas ditës së 24 Marsit, më shumë qëndronin në oborr, se sa brenda në odë, ku një vit më parë ishte vendosur një pjesë e komandës së Shtabit lokal dhe rajonal të UÇK-së. Në odën e Babës Malë e Axhës Sadik, selia e Shtabit lokal të Shkozës, pos Xhemë G., Mahir H., Isuf G., Gani P., Mensur Z., Bedrush G., Flurim G., Bedri Z., nga Shtabi Rajonal i Drenocit, pastaj ish-komandantit Seferit, Njaziut, Luanit, Ragipit, Safet M.,etj, të emëruar në pozita komanduese, frekuentonin përherë jo vetëm ushtarë të këtyre Shtabeve, por edhe eprorë e përfaqësues të SHP të UÇK-së, disa nga të cilët janë dëshmorë kombi, por edhe heronj të shpallur nga presidentët e Republikës së Kosovës. “Athua do t’i binë bre babë dhe kur do t’ia nisin me i ra Serbisë”, më pyeste axha Alush, 82 vjeç, (i vrarë e masakruar nga barbarët serbë më 2 prill 1999). Baba Lushë, ishte më i madhi nga katër vëllezërit e tij në lagjen “Mjeku” në Shkozë, të cilin që të gjithë 48 anëtarët e familjes e thirrnim baba Lushë. Gjithnjë më pyeste, çka po thotë gjermani bre babë, e unë ia ktheja, se Gjermaninë e kemi krah të fortë, se ai është mik i Amerikës. Që të gjithë sa ishim në odën e burrave, më 24 mars, ditë e mërkurë, ditë e thatë e fillim pranverës, dolëm jashtë të shikonim qiellin e kaltër, nëse do të mund t’i shihnim aeroplanët bombardues të NATO-s. Sidomos Baba Lushë, axha im më i madhi, ishte kureshtar nëse luftës sonë të drejtë, pos Amerikës do t’i bashkoheshin edhe shtetet Evropiane, sidomos Gjermania, sepse ai në këtë shtet kishte besim të madh. Po, i thosha, unë, krahas Britanisë, do të jetë Gjermania po se po, por edhe Italia, Franca, Turqia…E në oborr, kishi dalë edhe fëmijët, Arbani, Vlora, Besarta, Pajtimi, Ardiani, Rrezarta…
Amerika, Gjermania, Anglia…NATO-shpëtimi i popullit shqiptar
E mërkura e 24 marsit 1999, ishte ditë e shumë pritshme, ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, kudo që ishin, e sidomos për shqiptarët në Kosovë, ata që për së paku një dekadë, po përballeshin me metodat e ndryshme të dhunës sistematike të aparatit shtetëror serbo-sllav. Natën e 24 Marsit 1999, në mbrëmje pak pas orës 20:00, nisën sulmet kundër caqeve dhe makanizmit luftarak serb. Derisa Baba Lushë e Baba Malë, kishin emocione të përziera, edhe lot gëzimi e fëmijët sikur kremtonin fitoren, unë shkrepja aparatin filmik, për të bërë ndonjë foto nga lartësa e qiellit me shumë dritë. Momenti i sulmeve të para të NATO-s, solli emocione dhe shpresë për një kthesë historike të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë. I pritshëm ishte padyshim edhe kundërveprimi i Serbisë. Këtë dro, sikur donin të ma thoshin edhe të dy pleqtë e familjes së Sefer Nuhi Mjekut, Baba Lushë dhe Baba Malë. Droja e baballarëve tanë kudo, ishte e arsyeshme, sepse katër ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s, nga Kosova ikën pothuaj që të gjithë misionarët e OSBE-së, ndërsa në Kosovë, paraprakisht patën ndodhur disa masakra të tmerrshme ndaj civilëve. Kishte të drejtë Baba Lushë, për dronë e kundër veprimit të Milosheviqit ndaj popullatës civile shqiptare. Ai gëzimin e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe, e përjetoi vetëm 7 ditë, pasi atë dhe nunin e tij e tonin nunin Avdullah Uka, i vranë barbarët serb më 2 prill 1999, në malin jo larg fshatit Shkozë. I vranë dhe i masakruan barbarët, sepse Baba Lushë, kishte qëndrim burri e të një trimi me përjetime të shumta, por kurr i thyer. Ai, nuk e deshi ekzodin, ai nuk e pranoi as deportimin me dhunë të popullatës për në Shqipëri, Maqedoni e gjetiu jashtë Kosovës. Axha im, ndonëse kishte kaluar 82 vjet moshë, e donte shumë lirinë, donte ta përjetonte atë dhe Pavarësinë e Kosovës, po aq sa ne me moshë të mesme apo të rinjtë e fëmijët që s’dinin aq si do të ishte Liria e si Pavarësia.
Pra, Lufta e UÇK -së e viteve 1998-1999, sakrifica sublime e komandanti legjendar, Adem Jashari dhe e familjes Jashari, por ndihma e aleatëve, SHBA-ve, britanikëve, gjermanëve, francezëve, italianëve, turqëve etj., nga Evropa, ishte vendimtare që rezultoi me lirinë e popullit të Kosovës.
Fushata ajrore që solli çlirimin e Kosovës, dhe kapitullimin e ushtrisë jugosllave, ka zgjatur hiq më pak se 78 ditë. Ndërhyrja e NATO-s përmes bombardimeve nga ajri dhe shkelja e tokës së Kosovës nga trupat paqeruajtës të KFOR-it, nga 11 qershori 1999, ishte pothuaj i vetmi shpëtim për shqiptarët, kundrejt agresionit fashist serb. Me këtë rast, uroj që në kuadër të shënimit të përvjetorit të Lirisë, FSK-ja, të shndërrohet në Ushtri e kompetenca adekuate, respektivisht në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).! Kjo, tashmë është domosdoshmëri, qoftë përmes projekt-ligjit, apo ndryshimeve kushtetuese. Kosova, është shtet i pavarur-sovran, dhe më nuk kemi kohë të presim e të mbetemi peng i tekeve, shantazheve dhe dëshirave të sëmura të “të zgjedhurve” të pakicës serbe!