“21 janari’, 6 vjet nga masakra në bulevard

21.01.2017 12:47:57

Ashtu si çdo 21 janar, të paktën në vitet e fundit, është bërë e zakonshme që të ketë përkujtim dhe buqeta me lule në bulevard, po jo drejtësi.

Sot shënohet 6-vjetori i 21 janarit, protestës, ku u vranë nga Garda 4 persona, ndërsa shumë të tjerë mbeten të plagosur.

Ashtu sikur ka ndodhur çdo vit edhe në përvjetorin e 6-të do të ketë një ceremoni përkujtimi për 4 protestuesit që u vranë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ teksa po merrnin pjesë në një protestë të opozitës (mazhoranca aktuale) kundër qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ceremonia me famil;jarët e viktimave ishte parashikuar të niste në orën 10:30 në sallën e Hartave, por ajo është shtyrë në orën 13:00 për t’u zhvendosur në Pallatin e Brigadave.

Pritja për familjarët, një vit më parë u bë në ambientet e Kryeministrisë, por për shkak të një proteste, që u zhvillua përpara godinës së Qeverisë sot paradite, pritja do të bëhet në Pallatin e Brigadave.

Siç njoftohet, pas pritjes me familjarët, kreu i qeverisë së bashku me ta, do t’i drejtohen Bulevardit Dëshmorët e Kombit për të kryer ritualin e vendosjes së luleve dhe ndalesës në vendet ku protestuesit humbën jetën.

Para 3 ditësh qeveria vendosi dëmshpërblimin e 3 familjarëve të viktimave që u vranë në 2011, ndërsa njëri është ende në proces gjyqësor. Fondi i miratuar nga qeveria është 160 milionë lekë dëmshpërblim

Ndërkohë, ministri Saimir Tahiri tha një ditë më parë se dëmshpërblimi ishte një detyrim i kësaj qeverie, por se drejtësia nuk është vënë në vend.