230 vjet nga revolucioni Borgjez Francez

14.07.2019 16:07:16

Nga: Sylejman Morina

Sot 14 korrik 1789,..filloi revulucioni Francez, e ndryshoi njerzimin , me shume viktima ,..instaloi „dhune“ ,..perdorët m‘vone nga regjimet diktaturjale e ideologjive t‘ndryshme!..

Revolucioni Francez (1789 – 1799) ishte një periudhë e përgjakshme që
përfshiu të gjithë Francën për arsye kryesisht sociale dhe politike. Kjo
shënoi fundin e monarkëve në Francë dhe ardhjen e një rendi të ri, që
tronditi të gjithë Evropën.

Kur Luigji XVI thirri parlamentin, ai shpresonte të fitonte sërish
mbështetjen e masave të popullsisë Franceze. Reformat ekonomike sipas tij do
të shuanin revoltën dhe do të risillnin stabilitetin në vend. Për tu
theksuar është se parlamenti nuk ishte mbledhur që më 1614, dhe askush nuk
mund ta parashikonte se çfarë do të trajtonin deputetët e tre klasave kur
ata do të takoheshin në Versajë.

Fundi i revolucionit me dekapitimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës
(Marie Antoinette Josèphe Jeanne de Habsbourg-Lorraine), do të sillte në
pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin, i cili legjitimoi
Regjimin e Terrorit.

Deficiti i madh i shtetit dhe pakënaqësia popullore e detyruan Luigjin XVI
që në maj 1789 të mblidhte Përfaqësinë e Përgjithshme,e cila nuk ishte
thirrur gjatë 2 shekujve. Përfaqësuesit (deputetët) e shtresës së tretë, pa
vullnetin e mbretit e shpallën veten Asamble Kushtetuese dhe deklaruan se
nuk do të shpërndaheshin pa i dhënë vendit kushtetutën. Në mbrojtje të
Asamblesë, më 14 korrik 1789 populli i armatosur i Parisit sulmoi dhe
pushtoi kështjellen burg, Bastijën, qe ishte simbol i absolutizmit. U liruan
të burgosurit dhe u ngrit flamuri trengjyrësh (i bardhe, i kuq, blu) i
revolucionit. Kjo datë, 14 korriku, shënoi fitoren mbi regjimin e vjetër dhe
vendosjen e regjimit të ri. Sot kjo ditë është festa kombëtare e Francës. Në
provinca u pushtuan kështjellat, u dogjën dokumentet e detyrimeve dhe kudo u
vendosën organe të reja të zgjedhura nga populli. Revolucioni fitoi. Për të
mbrojtur Asamblenë u krijua një forcë e re ushtarake e përbërë nga
vullnetarë, që u quajt Garda Kombëtare. Kjo forcë u bë ushtria e
revolucionit

Më tutje akoma, ndërkohë që Asambleja Kombëtare po punonte për kushtetutën e
re (ata kishin punuar që nga korriku i 1789), qytetarët e Parisit dhe
fshatarësia në rrethinat e kryeqytetit filluan revoltat që do ti jepnin
revolucionit një pamje krejt tjetër; një pamje akoma më radikale. Qytetarët
dhe fshatarët e thjeshtë kishin menduar se reformat do të ishin të shpejta.
Ata kishin shpresuar që të liroheshin shpejtë nga taksat e rënda dhe nga
varfëria e tejskajshme, por mbledhjet e Asamblesë Kombëtare kërkonin akoma
më shumë kohë ndërkohë që banorëve të Parisit iu sos durimi. Mbase punimet
kërkonin pak më shumë durim, por ishte popullsia e thjeshtë ajo që po
përballej me inflacionin, papunësinë dhe shkurtim të rezervave ushqimore.
Fjalë të shumta po përhapeshin se mbreti po përqendronte trupa të armatosura
rreth Parisit. Të gjithë këto faktorë, të ndihmuar edhe nga një pasiguri e
madhe, bënë që qytetarët e Parisit të hidheshin në revoltë.

Thashethemet u vërtetuan shpejtë. Luigji XVI, i ndikuar vazhdimisht nga
gruaja e tij e bukur Maria Antonieta, do të sillte trupa ushtarake në
Versajë. Si një veprim i gabuar ky, në një kohë të papërshtatshme, mbreti
vetëm sa shtoi akoma më shumë frikën e qytetarëve se ato trupa “nesër ose
pasnesër” do të godisnin Asamblenë Kombëtare. Kjo sipas masave ishte një
lëvizje e mbretit për të shtypur revolucionin. Reagimi i turmës erdhi
shpejtë. Më 14 korrik të 1789, një turmë e revoltuar sulmoi Bastijën.
Bastija ishte një burg ku zakonisht hidheshin kundërshtarët politik, ndaj
sulmi ndaj saj u pa nga të gjithë si një goditje ndaj padrejtësive që i
ishin bërë atyre deri atëherë.

Shqetësimet do të përfshinin edhe rrethinat e Parisit. Gjatë verës të po
atij viti, fshatarët u kapën në një ankth të papërshkrueshëm që u emërua si
“Frika e Madhe.” Thashethemet u përhapën si era nga një fshat në fshatin
tjetër sikur banditë dhe banda hajdutësh sulmonin fshatrat në të gjithë
Francën duke vjedhur dhe bastisur të mbjellat dhe të korrat. Në këtë gjendje
paniku, fshatarët shtrënguan në duar armët për tu mbrojtur nga një armik
virtual që në vërtetë ishte thjeshtë pjellë e thashethemeve frikë-ndjellëse.
Kur “bandat e hajdutëve” dhe “banditëve” nuk u dukën në horizont, fshatarët
e tromaksur nga “Frika e Madhe,” sulmuan fisnikët e tyre. Ata shkatërruan,
vodhën dhe bastisën depot ushqimore, dogjën regjistrat e taksave, si edhe u
zotuan se kurrë më nuk do të paguanin ndonjë detyrim feudal. Ashtu si edhe
parisienët, edhe fshatarët po zhvillonin një revolucion (në mënyrën e tyre)
kundra regjimit të vjetër.

Reforma e të tjera

Duke parë trazirat në Paris dhe në të gjithë Francën, Asambleja Kombëtare
kaloi në veprim. Në natën e 4 gushtit, pjesëtarë të shumtë të asamblesë
mbajtën fjalime të gjata dhe pasionuare në mbrojtje të reformave. Mendohet
se një nga vetë fisnikët, pretendoi që edhe këta të fundit të paguanin
taksa. Një tjetër propozim ishte heqja dorë nga e drejta fisnike e gjuetisë
(që ishte një nga hobit e preferuara të Luigjit XVI). Duke guxuar më shumë,
edhe kleri vetë deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasuritë e
luksit në se këto do i shërbenin reformave. Me pak fjalë, deri në agim
asambleja hodhi poshtë të gjitha traditat e fisnikëve. Fisnikët tashmë mund
ti gëzoheshin vetëm titujve të tyre. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte edhe
barazia e të gjithë meshkujve të rritur për tu punësuar në institucione
shtetërore dhe fetare.

Mbledhja në atë natë gushti bëri shuma hapa para. shkurt, mjafton të
përmendim citatin e një fisniku të moderuar Francez, Conte de Merabeau:

” – Në se nuk është për të qeshur… shpenzuan një muaj të plotë duke u
kapur mbas gabimeve ortografike, se si shkruhej kjo ose ajo fjalë. Por ju
desh vetëm një natë për të përmbysur të gjithë rregullat e vjetra të
mbretërisë.”

Para se të mbaronte gushti, Asambleja Kombëtare hartoi dhe vuri në zbatim të
Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë përmbante shumë ide
filozofike të iluminizmit dhe u frymëzua nga Karta e të Drejtave e hartuar
në Angli. Një ndikim tjetër të madh pati edhe Deklarata e Pavarësisë
amerikane. Deklarata e të drejtave të Njeriut (deklarata franceze), u
përkthye në shumë gjuhë të tjera dhe u përhap në të gjithë Evropën. Nën këto
ide, shumë vende të tjera, edhe Shqipëria, do të bënin revolucionet e tyre
nën shembullin Francez. Pra deklarata bënte thirrje për barazi të të gjithë
personave dhe siguri të pronës. Këto mendime do të parashtroheshin edhe në
kushtetutë.

Zhvillime të mëtejshme

Ndërkohë që juristët dhe zyrtarët hartonin dhe debatonin reformat, qytetarët
e revoltuar të Parisit hynë në asamble duke i kujtuar atyre se duhet të
pyeteshin edhe kërkesat e tyre. Debati ishte pak i vështirë të qetësohej
pasi shumica e protestuesve ishin me arsim të mesëm dhe nuk mund të kuptonin
lehtë gjuhën e ngarkuar juridike.

Gjatë tetorit të 1789 më datë 5, me mijëra gra të revoltuara do të marshonin
drejt Versajës, ku ndodhej mbreti me familjen e tij. Gratë ishin të
revoltuara për çmimet e larta të ushqimeve. Një tjetër arsye e marshimit
ishte si gjithmonë dyshimi se mbreti dhe mbretëresha austriake po
komplotonin kundra Asamblesë Kombëtare. Ato kërkuan që mbreti të kthehej me
ta në Paris së bashku me familjen e tij. Atje, ato do ta kishin më të
thjeshtë të kontrollonin aktivitetet e mbretit. Luigji XVI pranoi duke
shmangur në këtë mënyrë dhunën.

Kthimi i mbretit në Paris ishte një skenë e paparë. Rikthimi i mbretit
habiti të gjithë. Luigji XVI, i hipur mbi një kalë parakaloi në rrugët e
Parisit i ndjekur nga një turmë grash që përshëndesnin me gëzim. Mbreti vetë
mbante të veshur shiritin tre ngjyrësh; blu, të bardhë dhe të kuqe, ngjyra
këto që revolucionarët i kishin mbartur nën flamurin e tyre. Kjo gjë, i bëri
revolucionarët të mendonit se ishin pikërisht ata që e kishin në dorë
Francën tashmë. Asambleja Kushtetuese gjithashtu u zhvendos në Paris sepse
në këtë mënyrë revolucionarët mund ta analizonin punën e tyre akoma më mirë.

Në fakt shumë do tju dukej periudha e revolucionit koha në të cilën Franca
do të shkatërrohej përfundimisht, por nuk ishte ashtu. Rezultatet ishin
shumë të mëdha duke qenë se kanë qenë produkti i kauze të hershme.

Pasojat e revolucionit nuk ishin aspak të papërfillshme, ato cuan në një
ndryshim rrënjësor në sistemin e politik, ekonomia u rrit, dhe shpërndarja
klasore ndryshoi. Nga e gjithë situata e ngatërruar e Francës, kaosi politik
dhe ekonomik që përfundoi në përmbysjen e Direktoratit në 1799, ishte
Napoleon Bonaparti ai që vendosi rregull dhe i solli Francës lavdinë e
mëparshme. Në fakt regjimi i tij ishte akoma më i fortë dhe absolutist sesa
ai i Luigjit të XIV por, në këtë rast francezët donin unitet dhe lulëzim të
vendit të tyre.

Kështu uniformiteti i ligjit dhe i institucioneve u zbatua dhe afirmua në të
gjithë Fancën, privilegjet ligjore të disa klasave u zhdukën, sistemi i
vjetër agrar u hoq, një pjesë e madhe e tokave mbretërore, të fisnikëve dhe
të klerit u shpërndanë dhe iu shitën personave të shtresës së mesme dhe të
ulët me cmime relativisht të ulëta. Sistemi i ri fiskal i tatonte njerëzit
sipas fitimeve dhe u hoqën të gjitha pengesat për tregëtinë brenda vendit.
Cdo profesion u bë pa pagesë dhe secili e merrte atë në bazë të talentit dhe
aftësive. Besimi fetar dhe fjala kishin pothuajse një liri të plotë.

Të gjitha këto produkte të revolucionit bënë që francezët të duronin të
gjitha reformat dhe masat drastike që i sollën ato.

Reformat Fetare

Për tu theksuar janë edhe reformat fetare që u zbatuan në këtë revolucion.
Në të gjithë Francën, u hoqën të gjitha privilegjet dhe zakonet prapanike të
fisnikëve dhe klerit. Asambleja Kombëtare i hoqi të gjitha privilegjet
kishës, si edhe shpalli lirinë e besimit. Më 1790, asambleja i hartoi Kodin
Civil (edhe pse në të vërtetë kodi civil do të hartohej në një mënyrë më të
mirëfilltë dhe të saktë vetëm gjatë sundimit të Napolon Bonapartit). Sipas
këtij kodi, asambleja merrte fuqi absolute mbi veprimtaritë fetare.
Gjithashtu tashmë njerëzit mund ti zgjidhnin vetë klerikët. Situata
degjeneroi më tepër kur asambleja filloi të shiste tokat e kishës si të
sajat (kjo për arsye financiare). Ky veprim në të vërtetë nuk ndikoi shumë
në rrjedhën e revolucionit, por bëri që disa përkrahës të flaktë të tij të
cilët ishin katolik, të revoltoheshin dhe të mallkonin revolucionin, edhe
pse kjo dyshohet se ishte thjeshtë një propagandë e Papatit.

Kushtetuta dhe Ngjarje të Tjera

Më 1791, Asambleja Kombëtare i dorëzoi më në fund popullit francez
kushtetutën e saj të parë. Kushtetuta i la shumë pak fuqi mbretit edhe pse
ai mund të vazhdonte të ishte monarku i vendit. Mbreti u vendos në krye të
ekzekutivit. Legjislatura iu la në dorë Asamblesë Kombëtare. Mbreti mund të
përdorte veton për të penguar një ligj, por legjislativi mund ta
kundërshtonte veton e mbretit. Reforma të shumta u bënë gjithashtu edhe në
gjykata ku këtyre të fundit iu dha një pavarësi për ta pasur zili.
Kushtetuta do e ndante Francën në 83 departamente (rajone), dhe zëvendësoi
punonjësit e vjetër lokalë me gjak të ri të zgjedhur nga vetë populli.

Nën ndikimin e Kushtetutës, dallimet e vjetra ndërmjet klerit, fisnikëve dhe
“plebenjve”, u zhduk krejtësisht. Tashmë Franca i kishte përjashtuar
elementët e vjetër të feudalizmit dhe ato, gjithmonë sipas kushtetutës nuk
ishin më të mirëpritura në tokën e lirisë. Kushtetuta do të garantonte liri
dhe barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët francez.

Mbas hartimit të kushtetutës, që priste akoma nënshkrimin e mbretit, shumë
persona u kënaqën me monarkinë konstitucionale. Megjithatë radikalët nuk u
pajtuan me këtë zgjidhje. Ata dëshironin republikë dhe jo monarki të
kushtëzuar. Për shumë fisnikë, kushtetuta e 1791 e kishte tepruar me nenet e
saj. Madje fisnikët (shumica e tyre) e kishin parë me dyshim kushtetutën
përpara se ajo të fillonte të hartohej. Të frikësuar nga turmat e armatosura
në rrugët e Parisit dhe gjetke, ata u larguan nga Franca. Këta “emigrantë
politikë” do të luanin një rol vendimtar në bindjen e fisnikëve evropianë
për të kundërshtuar revolucionin.

Kushtetuta frikësoi kryesisht Luigjin XVI. Luigji u alarmua nga vendimet e
asamblesë dhe si gjithmonë ai do të bënte gjënë e gabuar në një kohë të
gabuar. Ai do kërkonte ndihmë jashtë vendit të tij. Maria Antonieta do ti
kërkonte ndihmë vëllait të saj, i cili ishte perandor i Austrisë.
Megjithatë, familja mbretërore do të përpiqej të arratisej në qershor të
1791. Arratisja do të kishte qenë një sukses në se mbreti s’do të njihej në
kufi. Asambleja e revoltuar e arrestoi atë dhe e detyroi të rikthehej në
Paris ku kishte edhe vendin. Luigji e kuptoi se kishte qenë gjithnjë një i
burgosur virtual i asamblesë. Në këto kushte, ai u detyrua ta pranonte
kushtetutën e re më shtator të po atij viti.

Përpjekja për arratisje e mbretit i vuri në siklet revolucionarët e moderuar
(të djathtët), që pavarësisht se ishin të kënaqur me monarkinë kushtetuese
nuk mund ta justifikonin “tradhtinë” e mbretit. Radikalët revolucionar (të
majtët) godisnin pikërisht në atë pikë. Ata ishin për republikë me
pretendimin se mbretit nuk mund ti zihej besë. Si vazhdim, radikalët
revolucionar arritën të merrnin pushtetin. Grupi i Jakobinëve me Maksimilian
Robespierin në krye do të drejtonte Francën në “Regjimin e Terrorit.”