25 milionë euro u keqplanifikuan nga institucionet e Kosovës

12.10.2016 15:20:33

Mbetet shqetësuese për auditorin dhe deputetët e kuvendit vlera prej 25 milionë eurosh për keq planifikim të shpenzimeve nga institucionet e Kosovës për vitin 2015.
Ndër shqetësimet tjera është edhe trendi i rritjes së shpenzimeve si pasojë e vendimeve gjyqësore. Për vitin paraprak, nga buxheti i shtetit janë paguar 12 milionë euro për rastet e humbura në proceset gjyqësore.

Kështu u bë e ditur gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të Auditimit për Ministrinë e Financave dhe për Ministrinë e Administratës Publike në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare.

Drejtori Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani theksoi se shqetësim tjetër është edhe angazhimi i numrit të madh të të punësuarve me kontratë mbi vepër nëpër institucionet e shtetit dhe rritja e shpenzimeve në fund vit.

Në komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare raportoi ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili theksoi se ka një tendencë të rritjes së menaxhimit më të mirë të financave publike, ku sipas tij, janë duke implementuar një varg reformash për rregullimin e kornizës ligjore që adreson implementimin e rekomandimeve. Hoti tha se kanë në plan formimin e një Këshilli që përfshin institucionet përkatëse për mbikëqyrjen e implementimit të rekomandimeve.

Edhe ministri i MAP-së, Mahir Yagcilar, tha para anëtarëve të këtij komisioni se janë në përpjekje që të përmirësojnë punën e Qeverisë, por edhe të institucioneve ku interferon edhe Ministria e Administratës Publike, në mënyrë që të ketë organizim më të mirë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli nga radhët e LVV-së, tha se sheh një vështirësi të planifikimit dhe organizimit për menaxhimin e financave publike. Si shqetësim tjetër, Topalli sheh edhe mos implementimin e rekomandimeve të auditorit, dhe sipas tij qeveria nuk ka pasur asnjë plan në vitet e kaluara për këtë çështje.

Anëtari i komisionit, Ali Sadria nga LDK, tha se brengosëse për të, janë borxhet e bartura në qeveri dhe komuna. Ai tha se ka elemente pozitive në raport, të cilat dalin sidomos për të hyrat buxhetore.

Anëtari tjetër Abdyl Imeri nga PDK, vlerësoi se të gjitha të gjeturat e theksuara në këtë raport nga Auditori, kanë për qëllim që organizatat buxhetore të rrisin transparencën llogaridhënien dhe shpenzimet e parasë publike, si dhe përmirësimin e qeverisjes. Por, ai tha se me gjithë përmirësimet që shihen në raport, ka keq klasifikim të buxhetit.

Nga 1 mijë 177 rekomandime vetëm 365 prej tyre janë adresuar plotësisht, 418 I kemi të adresuara pjesërisht dhe 403 rekomandime janë fare të pa adresuara nga ana e organizatave buxhetore. Auditori theksoi se do të ishte me rëndësi që të krijohet një plan të Veprimit nga Qeveria e Kosovës dhe një plan kohorë për mënyrën e adresimit të këtyre rekomandimeve.

Në rend të ditës ishte paraparë edhe shqyrtimi i Raportit të Auditimit për PVF e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015, i ftuar ishte ministri Dalibor Jevtic, por në kuadër të bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga Lista serbe, nuk mori pjesë Jevtic.

Komisioni për shkak të vazhdimit të seancës së djeshme, u detyrua të ndërpresë punimet për shqyrtimin e raporteve të Auditorit për vitin 2015, për Ministrisë së Shëndetësisë dhe për Klinikën Universitar të Kosovës./KosovaPress/