Reagon Nexhmije Hoxha: Ja e vërteta e anëtarësimit tim në Partinë Fashiste

27.11.2016 13:50:12

Në një reagim për gazetën ‘Dita’, Nexhmije Hoxha foli mbi një dokument të publikuar dje ku thuhet se ajo ka qenë

anëtare e rinisë fashiste.  Duket e çuditshme se si gruaja e kreut të komunistëve dhe më pas e diktatorit të Shqipërisë për rreth 4 dekada të ketë qenë anëtare e rinisë fashiste.

Dokumenti u botua nga Kastriot Dervishi, i cili shkroi se ky dokument “është ruajtur nga Enver Hoxha”.

Nexhmije Hoxha, e cila pas pak muajsh mbush 96-vjeç thotë se: “Në periudhën që bën fjalë dokumenti, unë kisha mbaruar provimet e maturës dhe më duhej të përgatisja dokumentet për emërimin si mësuese. Për këtë arsye, mund të më jetë dashur ky vërtetim. Por unë nuk kam firmosur asnjë dokument anëtarësimi në Rininë Fashiste dhe aq më tepër në Partinë Fashiste.

Sa për kujtesë, unë që nga viti 1936 kam qenë e organizuar në grupin komunist me Qemal Stafën.

Në 4-7 prill të ’39-s kam marrë pjesë në demonstratat e rinisë së Tiranës kundër pushtimit nga Italia fashiste dhe në vazhdim, derisa u kërcënova me arrestim dhe kalova në ilegalitet.

Sa isha studente në “Institutin e Vajzave” në Tiranë, instruktorja italiane fashiste për Gjimnastikën më dha notën 6, pavarësisht se në dëftesë të gjitha notat i kisha të larta, sepse nuk i shkoja në aksionet që organizonin fashistët për të bërë pako për ushtarët në front. Unë të gjitha këto i kam të shkruara në librat e mia të kujtimeve”.