50 mijë euro rryshfet, gjykata lë në fuqi pezullimin për gjyqtaren Andrea

19.12.2016 14:57:30

Nëse gjykata nuk do të merrte sot vendimin për një vendim të dytë për pezullim nga detyra të Majlinda Andreas, atëherë kësaj të fundit do t’i lindte e drejta për t’u rikthyer në detyrë.

Andrea, anëtare e Gjykatës së Lartë u pezullua nga detyra pas zbulimit të një afere korruptive ku bashkëshorti i saj mori 50 mijë euro në një lokal në Tiranë për të ndikuar në një gjyq për çështje pronësie.

Ndërkohë që, Andrea hetohet në gjendje të lirë bashkëshorti i saj, Odise Andrea është ende në kërkim. Për të gjykata ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” në mungesë, duke rrëzuar kërkesën e avokatëve për ndryshimin e masës.

Gjithashtu, gjykata ka rrëzuar dhe kërkesën e avokatëve mbrojtje për shpalljen si të pavlefshme të disa akte të dosjes, përfshirë përgjimet. Të gjitha këto veprime sipas gjykatës janë bërë në përputhje me ligjin.