518 persona të prekur me COVID-19 në Shqipëri

16.04.2020 10:25:00

Shifra e personave të prekur me Coronavirus në Shqipëri i ka kaluar 500.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nga Parlamenti tha se deri tani janë konfirmuar 518 raste.

“Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19, ose 10.7 për qind të rasteve të testuara pozitive në më shumë se 4,800 testime të kryera. Një raport ky i pranuar nga OBSH për testimi, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara. Personeli mjekësor është testuar pa ndërprerje si një grup risku, mbi 800 testime janë kryer. Fatmirësisht më pak se 9 për qind e personelit të testuar rezultojnë të prekur dhe më shumë se gjysma e tyre janë të shëruar. Do të vijojmë të mbrojmë mjekët duke garantuar testim dhe mbrojtje për ta”, tha Manastrilliu.

Duke bërë një përmbledhje të të sëmurëve, Manastirliu tha se deri tani në dy spitale janë 12 paciente që janë në terapi intensive.

“Në dy spitalet, COVID 1 dhe COVID 2 aktualisht vetëm 14 për qind e kapacitetit janë të zënë. Po përballemi ende me raste të rënda. 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre me frymëmarrje të drejtuar”, tha ajo.