7 Marsi, arsimi shqip në Maqedoni pas 130 vitesh ende në kaos

07.03.2017 23:03:07
Dhjetëra gjenerata nxënësish krenohen me mësuesen Hava Doko dhe sakrificat e saj për të arsimuar të rinjtë, sidomos ata të gjinisë femërore. Zonja Doko, tashmë 33 vjet, mban në dorë ditarin ndërsa dallohet për sukseset e arritura në mësime e në veçanti raportin mësues – nxënës.

Prej vitit 1996 punon në shkollën fillore “25 Maji” në Hasanbeg , ndërkohë që fillimet e para të mësuesisë i kishte në vitin 1984 në fshatin Paligrad të Shkupit. Madje, Doko thotë se bashkë me dy motrat e saja ishin të parat femra që hapën dyert e shkollave në këtë pjesë të Shkupit.

Për banorët e fshatit ishte shumë interesante dhe dilnin na shihnin kur udhëtonim ne, për shembull në javë shkonim atje dhe atje banonim edhe ishte shumë interesante dhe u vinte çudi se si ne si femra shkojmë, jetojmë dhe punojmë në një fshat. Mirëpo, me kalimin e kohës dhe viteve ata adaptuan me ne dhe ne ishim shumë të kënaqur, rezultatet nuk na mungonin asnjëherë – tha mësuesja Hava Doko.

Arsimi sot, sipas zonjës Doko nuk mund të thuhet se është i përkryer. Ajo thotë se ndryshimet në plan-programet mësimore dhe detyrimet që mësimi të zhvillohet sipas standardeve të vendeve të përparuara ka ngarkuar nxënësit dhe mësimdhënësit.

Librat e mëparshëm kanë qenë më tërheqës më konkret, kanë sqaruar, kanë pas të dhëna më të sakta dhe më të mira. Mirëpo, tash me përkthime të ndryshme hasim probleme, nuk dua mos ta ceki këtë se nuk kemi probleme , kemi probleme mirëpo çdo mësues e adapton mësimin sipas kërkesave të nxënësve – tha mësuesja Hava Doko.

Fatkeqësisht, 130 vjet pas hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe, arsimi shqip në Maqedoni është thuajse në një kaos të plotë. Këtë e dëshmon shkolla prej guri në Nerez të Epërm ku nxënësit shqiptarë rrezikojnë jetën e tyre për tu arsimuar. Ky 7 mars i gjen nxënësit e lagjes Bardhi të fshatit Bllacë duke u shkolluar në një shtet tjetër, në komunën Hani i Elezit në Kosovë.

Ndërsa pothuajse pas një shekulli e gjysmë përpjekje për tu arsimuar shqip, nxënësit e komunës Çashkë të Velesit janë të detyruar të mësojnë maqedonisht edhe atë nga klasa e parë deri në të nëntën. Në ditën e Mësuesit nuk mund të harrohen edhe shumë shkolla të shkatërruara nëpër komunat shqiptare. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqip u zhvilluan aktivitete të ndryshme në më shumë qytete.

Një prej tyre ishte edhe përurimi i objektit të ri të shkollës “Faik Konica” në fshatin Sllupçan, donacion i Fondacionit Albiz së bashku me kompanitë donator në kuadër të Platformës edukativo-arsimore të Fondacionit. Shuma e donacionit kap vlerën 100 mijë euro.