Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviq, në një prononcim për TVCG, ka thënë se shpreson që situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.
Duke komentuar shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, ky zyrtar nuk ka dhënë sinjale se vendi i tij do të lëvizë, duke kërkuar nga pala kosovare ratifikimin e marrëveshjes.
“ Paralajmërimet e mediave se Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar formimin e komisionit të ri nuk duhet të komentohet, sepse Mali i Zi nuk është njoftuar zyrtarisht”, ka thënë Paunoviq për televizionin publik të Malit të Zi.
Ai ka theksuar se është i bindur që në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes, pasi bëhet fjalë për çështje të brendshme të Kosovës.