Një qytetar është arrestuar sot pasdite në Gjakovë për shkak se, sipas Policisë, ai nuk i ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë.
Sipas pamjeve video të dërguara në KALLXO.com nga një qytetar, shihen zyrtarët policorë duke e shtrirë përtokë në mes të rrugës qytetarin dhe duke e prangosur.
Zyrtarja për Informim e Policisë Rajonale të Gjakovës, Lirije Podrimaj, ka treguar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur rreth orës 14:30 përballë ndërtesës së Komunës.
Sipas zëdhënëses së Policisë, derisa patrulla policore po merrej me një parkim të parregullt (vetura kishte bllokuar veturat e tjera të parkuara përballë Kuvendit Komunal), është paraqitur vozitësi, i cili nuk ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë.
“Duke vërejtur policët se i njëjti nuk po zbatonte urdhrat, me çka nuk kryheshin proceduarat e parapara, të njëjtin policët e kanë arrestuar”, ka thënë zëdhënësja.
Vetura është zhvendosur me kamion bartës.
Lirije Podrimaj tregoi po ashtu se derisa i dyshuari po transportohej për në stacionin policor, ai i ka fyer policët.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar.
“Rasti shkon në procedurë të rregullt dhe cilësohet si prishje e rendit dhe qetësisë publike”, tha Lirije Podrimaj.