Fushata në shkallë të gjerë e Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, si e vetmja mënyrë që ai të vijojë qeverimin, ka zbritur edhe në Itali. Avokati i Moisi Habilajt u investua dje gjithë ditën të bënte avokatinë e Saimir Tahirit, duke u betuar se nga letrat që ka parë ai, s’del emri i tij. Çiftëzimi i fatit Habilaj-Tahiri po shkon paralelisht me unitetin e çiftit Rama-Tahiri, por qenia e Moisi Habilajt pas hekurave flet për fatin e njëjtë që i pret edhe kapot politikë të bandës në Tiranë
Sulmet, kërcënimet dhe shantazhet në drejtim të njëri-tjetrit pas shpërthimit të megaskandalit “Habilaj”, në raportin Rama-Tahiri i kanë lënë vend një marrëdhënie të heshtur, ku kryeministri është i detyruar të luajë rolin e avokatit të bashkëpunëtorit të tij në krimin kombëtar. Dosja e Xibrakës, që thuhet se Saja e disponon dhe frika nga skandalet e pjesëtarëve të tjerë të kabinetit qeverisës e kanë vendosur Edvinin me shpatulla pas muri, duke mos i lejuar komoditetin e të ‘shijuarit’ të kurbanit të tij. Në të vërtetë Tahiri nga “një dru i shtrembër” për Ramën është kthyer në një hallkë të rëndësishme të zinxhirit, që mund të këputej e të hidhte në humnerë qeverinë, nëse kryeministri nuk do të aplikonte një fushatë në shkallë të gjerë për mbrojtjen e tij. Por paralelisht me propagandën e zullumit dhe sulmit, që Edvini po ndjek duke goditur prokurorët, mediat dhe opozitën në Shqipëri, në shtetin fqinj ka marrë jetë një tjetër aksion avokatie për të shpëtuar ish-ministrin e Brendshëm nga hesapet që ka për të larë me drejtësinë. I dyshuari kyç për shfrytëzimin e parave të pista të drogës së Habilajve, që u rrit dhe u shit nën hyqmin e policisë së tij të inkriminuar, u mor hapur në mbrojtje edhe nga avokati i kreut të klanit kriminal, Moisi Habilajt. Intervistat e tij për mediat në vend i përngjanin recitimive dinjitoze të vargjeve, që Fuga i përgatit me mjeshtëri kryeministrit tonë delirant.
Porsi Edvini në Tiranë, avokati Catalano në Katania bëri avokatinë e Saimir Tahirit, duke u betuar se nga letrat që ka parë ai, s’del emri i tij. Prononcimet e avokatit tregonin se për Ramën fushata e mbrojtjes së Tahirit është e vetmja mënyrë që ai të garantojë jetëgjatësinë e qeverimit me krimin dhe bandat. Masat që Edi Rama ka ndërmarrë për të evituar burgosjen e ish të besuarit të tij dhe për të gëzuar në mënyrë indirekte lirinë e vëllait Olsi Rama, tashmë janë sinkronizuar edhe me hapat që po ndiqen nga aktorët e tjerë në Itali. Kështu pra, çiftëzimi i fatit Habilaj-Tahiri po shkon paralelisht me unitetin e çiftit Rama-Tahiri, sepse vtëm kjo linjë mund të shmangë lëkundjet e vazhdueshme që rrezikojnë qeverinë. Por plani i Ramës çalon vetëm tek fakti se kryeministri harron që qenia e Moisi Habilajt pas hekurave flet për fatin e njëjtë që i pret edhe kapot politikë të bandës në Tiranë. Natyrisht që urdhrat e rëndësishëm për klanin e kushërinjve të Tahirit kanë për zot Edvinin e Surrelit, sepse edhe vetë politika kanabiste që ai implementoi në katër vite qeverisje ishte produkt i një mendje kriminale si ajo e tija. E gjithë kjo tregon se qelia do të jetë streha e fundit e klikës ministrore në pushtet dhe vetë të parit të qeverisë, të cilët shfrytëzuan fuqinë në duart e tyre për të legjitimiuar aktivitetet kriminale dhe për të krijuar bashkë me bandat e familjet mafioze narko-shtetin e vetëm në historinë e Ballkanit. E ardhmja e Noriegës së Shqipërisë është e destinuar të njehsohet me atë të Habilajve dhe Tahirit, ndaj ai po përpiqet të shfrytëzojë çdo mjet, kompetencë dhe individ, si avokati Catalano për të pastruar imazhin e Sajes, e për ta shitur atë në Shqipëri si një qingj të urtë e të pafajshëm.








































