Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi e ka pyetur Shpend Ahmetin, kandidatin për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosja pse po ik nga debatet nëpër televizione.
Sot kur është e premte dhe mbyllet fushata e partive politike, i vetmi debat ku janë përballur Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi, është ai i të hënës në televizionin Klan Kosova.
Më poshtë është reagimi i plotë i Abrashit:
Ajo që dihet botërisht është se unë dhe z.Shpend Ahmeti, përmes shtabeve përkatëse, jemi dakorduar për këto debate të periudhës zyrtare te fushatës që është 13 deri më 17 nëntor:
– Klan Kosova, e hënë, 13 nëntor;
– KTV – Rubikon, e martë, 14 Nëntor;
– RTK, e mërkurë, 15 nëntor; dhe
– TV21, tek Jeta Xharra, e premte, 17 nëntor.
Unë po respektoj me përpikëri dakordimin në mes të televizioneve me shtabet e LDK-së dhe VV-së. Kam marrë pjesë në debatin e parë, që ishte në Klan Kosova, të martë në Rubikon dhe të mërkurën në RTK.
Pas debatit të parë, z.Shpend Ahmeti dhe VV po anulojnë radhazi të gjitha debatet e dakorduara. Z.Shpend Ahmeti dhe shtabi i VV-së po mundohen të manipulojnë qytetarët dhe opinionin. E vërteta është se ai ka frikë që të përballet me mua dhe të vërtetën.
Unë kam pritur, sikur edhe qytetarët e Prishtinës, përballjen e radhës me z.Shpend Ahmeti në Rubikon në KTV, në emisionin më të shikuar të KTV-së tash e 15 vite. Në këtë emision janë zhvilluar debatet më të fuqishme me figurat më të larta të vendit dhe ndërkombëtare. Por, z. Shpend Ahmeti, siç e pranoi edhe shtabi i tij, nuk ka guxim të ballafaqohet në një format televiziv ku kërkohen fakte, fakte dhe vetëm fakte. Ai e zgjodhi ikjen dhe abstenimin vetëm pak orë para fillimit të emisionit.
Shpend Ahmeti edhe të mërkurën nuk erdhi në debatin e radhës në RTK të dakorduar paraprakisht. Ai dëshiron që t’i bishtnojë edhe debatit tjetër të dakorduar më 17 nëntor, tek Jeta Xharra në TV21.
Shpend Ahmeti e ka obligim karshi qytetarëve të Prishtinë të marr pjesë në debatet televizive, ashtu siç po bëjnë të gjithë kandidatët e tjerë për kryetar komunash.
Sidoqoftë, ikjet dhe shmangiet e tij e kanë një fund me të cilin do të përballen medoemos. Meqenëse nuk respektoi asnjëherë nevojat e qytetareve të Prishtinës, jo vetëm për debat gjatë garës, por edhe gjatë mandatit katër vjeçar, do të jenë qytetarët e Prishtinës ata që me votën e tyre të 19 nëntorit do ta obligojnë që të përballet edhe njëherë me mua. Por, këtë herë detyrimisht, me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Komunës së Prishtinës.








































