Ndihma amerikane për Kosovën është në forma të ndryshme. Një prej tyre është edhe ajo përmes Programit të Mijëvjeçarit. Kongresisti Eliot Engel dhe zyrtari kryesor i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Jonathan Nash, prezantuan fondacionin prej 49 milionë dollarëve.
Nash, tha se Kosova ka potencial për zhvillim dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e ShBA-së.
“Këto 49 milionë dëshiroj të jenë investime për kosovarët për ndërtimin e një të ardhmeje më të fuqishme ekonomike. Ne do të mbështesim Qeverinë e Kosovës për forcimin e institucioneve të veta, sundimin e ligjit, si dhe për të krijuar mundësi për zvogëlimin e varfërisë.”
Programi i Pragut i MCC-së për Kosovë përkrah përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikave.