Gjatë takimit me diplomaten e lartë zvicerane, në kuadër të konsultimeve politike mes dy vendeve, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe për iniciativa të reja në intensifikim të këtij bashkëpunimi.
Ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesen dhe me zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me Dhomat e Specializuara, Projektligjin për Demarkacionin, etj.
Diplomatja e lartë zvicerane, e shoqëruar nga Ambasadori i Konfederatës Helvetike në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, e uroi Ministrin Pacolli për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe i konfirmoi vullnetin e Zvicrës për të vijuar me ndihmën e fuqishme.
Duke folur për bisedimet me Serbinë, ajo nënvizoi se Zvicra kundërshton çdo ide shkëmbimi territoresh në Ballkan, qëndrim që u mbështet nga ministri Pacolli, i cili tha se “ kjo ide do të sillte hapjen e kutisë së Pandorës në rajonin tonë’.
Në vijim të takimit, Ministri Pacolli kërkoi ndihmë për sjelljen e modelit zviceran të funksionimit të komunave të Kosovës.