Disa komuna të Kosovës ueb faqet i kanë jashtë funksionit

25.02.2018 12:35:44

Edhe pse komunat janë të obliguara që të kenë ueb faqe funksionale, 6 komuna të vendit ueb faqet e tyre i kanë jashtë funksionit.

Albulena Nrecaj, nga Iniciativa për Progres, pohon se mosfunksionimi i ueb faqeve përbën shkelje të ligjeve për transparencë dhe informim të publikut. E në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, thonë se së shpejti të gjitha komunat do t’i kenë ueb faqet funksionale.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet prej se ueb faqja e Komunës së Ferizajt është jashtë funksionit. Shyhrete Topalli, udhëheqëse e zyrës për informim në Komunën e Ferizajt, tregoi për Radio Kosovën se kur pritet të funksionalizohet ueb faqja, ndërsa shpjegon se pse kjo komunë dhe disa të tjera ueb faqet e tyre i kanë jashtë funksionimit.

“Ueb faqja e komunës së Ferizajt nuk funksionon që nga dhjetori i vitit 2016-të, pas marrjes së vendimit nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për ridizajnimin e ueb faqeve të komunave. Ndërsa funksionalizimi i ueb faqeve pritet të bëhet gjatë muajit mars”, tha Topalli.

Përveç Komunës së Ferizajt edhe 5 komuna të tjera ueb faqet i kanë jashtë funksionit. Ky është fakt shqetësues për Albulena Nrecajn, drejtoreshë e Organizatës jo qeveritare ‘’Iniciativa për Progres’’, organizatë kjo që merret me monitorimin e punës së kuvendeve komunale. Sipas Nrecajt, mos funksionimi i ueb faqeve përbën shkelje ligjore.

“Mos funksionimi i ueb faqeve të komunave përbë një shkelje të ligjeve për transparencë dhe për informim të publikut, kur dihet se është në fuqi udhëzimi administrativ për funksionimin e ueb faqeve të organeve publike e gjithashtu edhe ai për transparencë në komuna”, theksoi Albulena Nrecaj nga INPO.

Nrecaj më tutje thotë për Radio Kosovën se të gjitha vendimet që janë publikuar gjatë kohës sa s’kanë funksionuar ueb faqet e komunave mund të cilësohen si vendime jo të plotfuqishme.

“Sipas udhëzimit administrativ, një vendim i Kuvendit të Komunës hynë në fuqi në momentin kur publikohet në ueb faqe. Mos funksionimi i ueb faqeve ka bërë që edhe vendimet të mos jenë të plotfuqishme, pasi që ekziston baza ligjore që vendimet bëhen të plotfuqishme vetëm atëherë kur publikohen në ueb faqe”, tha Nrecaj.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërkaq thonë se së shpejti të gjitha komunat do t’i kenë ueb faqet funksionale, pasi që kjo ministri ka punuar që ueb faqet e komunave të ridizajnohen dhe të jenë unike për të gjitha komunat e Kosovës.