Si çdo të enjte në orën 10:00 në Kuvendin e Shqipërisë do të nisë seanca e radhës parlamentare, e cila duket se do të jetë e tensionuar, pasi opozita ka vendosur të bëjë “vetëgjyqësi” pas vendimit të Byrosë së Kuvendit, për të mos përjashtuar kryeministrin Edi Rama për gjuhën fyese me të cilën etiketoi shqiptarët.
Pas rrëzimit të kërkesës së LSI, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha para se t’i komunikonin ditën e djeshme grupeve parlamentare planin, u konsultuan për rreth një orë në selinë blu.
Siç edhe është paralajmëruar seanca plenare nuk pritet të jetë e qetë, sepse opozita do të tentojë të bllokojë hyrjen e kryeministrit Edi Rama në Parlament. Të dy kampet opozitare paralajmëruan dje se nëse kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi nuk do përjashtojë Ramën, seanca mund t’i përngjajë asaj për zgjedhjen e kryeprokurores Arta Marku.
Ndërkohë, rendi i ditës parashikon miratimin e raporteve vjetore të Entit Rregullator të Ujit dhe KQZ-së për 2017, ndërsa opozita ka vendosur t’i japë zë qëndresës “Kuksiane” dhe protestës së biznesit të vogël kundër futjes në skemën e TVSH-së.






































