Pas 3 vjet mungese, Klinika e Gastroenterologjisë pajiset me videogastroskop dhe videokolonoskop

23.08.2018 12:08:29

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka bërë të ditur se pas tri viteve që Klinika e Gastrologjisë është në mungesë të një video-gastroskopi dhe të një video-kolonoskopi sot ia kanë dorëzuar një aparaturë moderne në mënyrë që qytetarët të mund të trajtohen aty.

Ismaili në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se do të rrisin cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, si dhe do të shtojnë dinamikën e punës.

“Ka tri vjet që Klinika e Gastrologjisë është në mungesë të një video-gastroskopi dhe një video-kolonoskopi për kontrollimin e zorrëve dhe lukthit. Si pasojë, të gjithë qytetarët tanë që kanë pasur nevojë për trajtime të tilla, janë orientuar në sektorin privat, duke shpenzuar mijëra euro. Sot, ne ia dorëzuam një aparaturë të re dhe moderne kësaj Klinike në mënyrë që qytetarët tanë të gjejnë trajtim aty. Me pajisjet e reja që do t’i blejmë edhe për klinikat tjera, do t’ua mundësojmë profesionistëve shëndetësorë që të përmbushin potencialin e tyre dhe në të njëjtën kohë të ruajmë xhepin e qytetarëve. Kështu, do të rritim cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve, si dhe do të shtojmë dinamikën e punës”, shkruan Ismaili në Facebook.