Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet që të mblidhet mblidhet sot për të diskutuar rreth performancës së përfaqësuesve të kësaj force politike në qeverisjen vendore. Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme që do të diskutohet në asamble është fushata për zgjedhjet lokale që priten të mbahen vitin e ardhshëm.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, Asambleja do të nis punimet në orën 10:00, ndërsa nuk do të mungojë fjala edhe e kryeministrit Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së.
E gjithë vëmendja e socialistëve do të përqendrohet tek fjalimi i tij, i cili pritet të përcjellë edhe mesazhin politik drejtuar opozitës. Gjatë punimeve të Asamblesë priten ndryshime në sekretariatin ekzekutiv të PS-së, por kjo ende nuk është zyrtare.
RENDI I DITËS NË ASAMBLE
- Raport Kombëtar i Llogaridhënies Publike të Qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”.
- Raport i Grupit të Punës së Asamblesë Kombëtare të Partisë “Mbi performancën e përfaqësuesve të PS në qeverisjen vendore”
- Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet vendore 2019.
- Raporti Kombëtar i Bashkëqeverisjes deri më 31.08.2018
- Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të PS në dy sesionet e para të legjislaturës së IX.
- Informacion mbi punën e strukturave vendore të partisë në raport me Axhendën Politike Vjetore të Partisë.
- Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare “E gjithë vëmendja tek njerëzit”
- Miratimi i strategjisë “Partia Socialiste për ty”
- E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
- Vendim për unifikimin e regjistrit digjital të PS.