Mbretërimi kryebashkiakëve me tre apo më shumë mandate duket se nuk do të marrë fund edhe në zgjedhjet e pritshme lokale të 30 qeshorit.
Hapin e parë të pjesshëm, për t’i dhënë fund qeverisjes lokale nga kryebashkiakë të përjetshëm, e ka hedhur Partia Socialiste me moskandidimin e Qazim Sejdinit në Elbasan dhe me gjasë të Vangjus Dakos në Durrës.
E ndërsa për Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon është duke u përdorur ky standard, i paprekshëm mbetet kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, në krye të kësaj bashkie që prej vitit 2000. Ai ka 19 vite që merr pagën si kryebashkiak në një nga bashkitë me shumë probleme si Maliqi.
Socialistët kanë projektuar përsëri Topçiun për garën e 30 Qershorit për Bashkinë e Maliqit, duke ia çuar në 6 mandatet si kryebashkiak ose 23 vite në këtë detyrë.
Topçiu duket i pa konkurrueshëm jo vetëm brenda partisë së tij, por edhe nga opozita, e cila me siguri do t’i duhet t’i bëjë mirë llogaritë e saj për të marrë një bashki që nuk e ka shijuar kurrë.
Ai shënon dhe rekordin e mandateve në këtë post me plot 5 të tillë. Konkretisht, Gëzim Topçiu në zgjedhjet vendore të vitit 2000, do të zgjidhej për herë të parë kryebashkiak i Maliqit nën siglën e PS-së dhe tri vite më vonë po në siglën e PS-së, Topçiu do të rikonfirmonte vijimin e drejtimit të kësaj bashkie.
Më pas, në zgjedhjet lokale të 2007-s, Gëzim Topçiu do të merrte mandatin e tij të tretë nën siglën e koalicionit të majtë, që përbëhej nga PS-ja, LSI-ja, PSD-ja dhe AD-ja, ndërsa katër vite më vonë, në garën e 8 majit 2011, Gëzim Topçiu do të shpallej sërish fitues me siglën e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Edhe në vitin 2015, ai nuk u lodh shumë për të fituar mandatin e pestë përballë kandidatit opozitar.
Në mars 2016, Topçiu ka denoncuar në polici për shkak të një kërcënimi të ardhur nga shtetasit Ani Kristo.
Sipas policisë, ky i fundit ishte një person me precedentë penalë dhe u akuzua për “kanosje për shkak të detyrës”.
Topçiu asokohe denoncoi në organet e policisë, pasi pretendoi se ishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale së bashku me familjen e tij.
Për vitin 2014, kryebashkiaku i Maliqit deklaron të ardhura dhe shpenzime modeste. Përveç të ardhurave nga paga e tij si kryetar i bashkisë dhe e bashkëshortes, Topçiu i ka shtuar ato edhe me 300 mijë lekë nga shitja e një autobusi për skrap. Në të njëjtën kohë, Topçiu ka ende pa shlyer edhe shumën e 27 193,79 eurove të pashlyer.
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2014, Topçiu deklaroi të ardhura dhe shpenzime modeste. Përveç të ardhurave nga paga e tij si kryetar i bashkisë dhe e bashkëshortes, ai i ka shtuar ato edhe me 300 mijë lekë nga shitja e një autobusi për skrap. Në të njëjtën kohë, Topçiu kishte ende pa shlyer edhe shumën e 27 193,79 eurove.
Disa javë më parë, përfaqësuesit e PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve propozuan kufizimin e mandateve të kryebashkiakëve. Por, kjo iniciativë e tyre u kundërshtua nga përfaqësuesit e PD-së.
Mesa duket, shkaku kryesor i kundërshtimit lidhet me një emër të njohur të pushtetit vendor. Ai është Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, i cili nëse demokratët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, atëherë zoti Mziu do të garojë për mandatin e pestë, duke u bërë kështu një nga kryebashkiakët më jetëgjatë në këtë detyrë në një bashki të madhe siç është Kamza.
Si Maliqi i socialistëve, apo Kamza e demokratëve janë kthyer në bastione politike, ku duket se nuk ka më garë dhe vend për rotacion dhe ide të reja qeverisëse lokale. Këto dy bashki nuk janë në rreshtin e atyre që kanë pësuar ndryshim për mirë, përkundrazi. Për shkak të mbretërimit të një kryebashkiaku, problemet nuk janë zgjidhur, por thelluar akoma më shumë.