Kryeministri Mustafa: Rugova ndërtoi miqësi me Selinë e Shenjtë, është vlerë e jona

06.09.2016 20:57:45

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Papa Françesku ishte vetë ai që kishte rezervuar pritje të veçantë për të dhe presidentin Hashim Thaçi, duke shprehur kështu respektin e Selisë së Shenjtë për Kosovën.

Mustafa ka shkruar se miqësia e Kosovës me Selinë e Shenjtë është rrjedhojë e siç e ka quajtur ai “arkitektit të pavarësisë së Kosovës”, Ibrahim Rugovës, përcjell Indeksonline.

Lexoni postimin e plotë të Mustafës:

Të dashur miq,

Delegacioni i Kosovës është pritur me respekt dhe nderime të posaçme gjatë qëndrimit në Selinë e Shenjtë, me rastin e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë.

Vet Papa Françesku rezervoi pritje të veçantë për Presidentin dhe mua në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, duke na shprehur respektin e Selisë së Shenjtë për Kosovën dhe popullin e saj. U takova edhe me autoritete të tjera të larta të Vatikanit, si sekretarin e shtetit, Kardinalin Parolin dhe Nuncin Apostolik, Janusz.

Miqësia e Kosovës me Selinë e Shenjtë, e ndërtuar nga arkitekti i pavarësisë sonë, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova, është vlerë e posaçme e jona, të cilën do ta ruajmë dhe fuqizojmë edhe më tutje.

Në Vatikan u shenjtërua Nëna jonë Terezë, u shpreh nderimi i posaçëm për popullin shqiptar kudo që jeton dhe erdhi në shprehje respekti për shtetin e Kosovës.