Venecia është një prej vendeve më të vizituara në botë. Çdo ditë aty ankorohen anije të mëdha dhe vërshojnë mijëra turistë. Por edhe pse turistët janë të mirëpritur, anijet e mëdha po e kërcënojnë perlën e Italisë, “Trashëgimi Kulturore Botërore”.
Ministri i transportit në Itali ka propozuar një plan për devijimin e anijeve të lundrimit nga qendra historike e Venecias. Ministri propozon që një e treta e anijeve të mëdha të ankorohen në porte të tjera deri në vitin e ardhshëm
Toninelli ka qenë nën presion për të gjetur një zgjidhje, pas një incidenti që ndodhi në qershor, ku katër persona mbetën të plagosur pasi një anije pasagjerësh u përplas me një kroçere në një kanal portual në Venecia.
Incidentet kanë ringjallur protestat kundër anijeve të mëdha dhe thirrjet e banorëve për t’i ndaluar ato nga laguna e Venecias. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Venecias duke kërkuar që anijet e mëdha të ndalohen të hyjnë në kanalin Giudecca të qytetit.
Ministri, fillimisht sugjeroi devijimin e linjave të lundrimit në Chioggia, një port në jug të Venecias. Por një vendim përfundimtar do të duhet të merret nga një komitet që përfshin ministrinë e transportit dhe autoritetet lokale dhe rajonale.
“Këto janë hipoteza të Toninellit … asnjë zgjidhje zyrtare nuk është vendosur,” tha një burim në këshillin e Venecias.
Nicola Ussardi, një anëtar i grupit aktivist No Big Ships, tha: “Ka shumë kaos që rrethon çështjen në përgjithësi. Por këto janë vetëm deklarata, asgjë zyrtare. “
Kryetari i Venecias, Luigi Brugnaro dhe Luca Zaia, presidenti i rajonit Veneto, gjithashtu janë përjashtuar nga diskutimet në lidhje me propozimet alternative.