Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se po merr në konsideratë që t’ia rikthejë fondet e SHBA-ve Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por se dëshiron ta reduktojë shifrën nga 50 në 40 milionë dollarë.
Presidenti Trump nëpërmjet një cicërime mëngjesin e së shtunës tha se nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar lidhur me këtë dhe se fondet drejt agjencisë globale të shëndetit vazhdojnë të mbesin të ngrira, shkruajnë mediet e huaja, transmeton lajmi.net.
Trump i është përgjigjur një cicërime të spikerit të lajmeve të Fox News lidhur me një letër të publikuar të Shtëpisë së Bardhë, e cila pretendonte se presidenti amerikan po përgatitej të rikthejë pjesërisht fondet e ndërprera muajin e kaluar.
“Lou, ky është vetëm njëri nga konceptet e shumta që po merren në konsideratë, në bazë të të cilit ne paguajmë vetëm 10% nga ajo çfarë kemi paguar përgjatë shumë viteve, duke qëndruar në të njëjtin nivel me fondet e ulëta të Kinës. Të gjitha fondet vazhdojnë të jenë të ngrira. Faleminderit!”, shkroi i pari i Shteteve të Bashkuara.

Trump pezulloi ndihmat amerikane për OBSH më 14 prill, duke e akuzuar organizatën për promovimin e ‘dezinformimit’ të Kinës në lidhje me shpërthimin e koronavirusit dhe duke thënë se administrata e tij do të bëjë një hulumtim kundrejt organizatës.
Zyrtarët e OBSH-së mohuan pretendimet, derisa Kina ka këmbëngulur që ajo ishte transparente dhe e hapur me botën lidhur me virusin.
Më parë, SHBA-të i dërgonin rreth 400 milionë dollarë në vit OBSH-së – dhjetë herë më shumë sesa kontributi i Kinës.







































