Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Bardhyl Meta, ka kërkuar nga Komisioni që të obligohet raportimi i gjendjes financiare të Ndërmarrjeve Publike, thirrur në ligjin përkatës, që është në fuqi.
Meta tha se kërkesa e tij bazohet në praktikat që ndërmarrje siç është VALA, të mos e sjellin Qeverinë e Kosovës në atë pikë që t’i duhet të ndajë buxhet shtesë për VALA-n. Këto çështje, ky Komision ka vendosur t’i diskutoj në një mbledhje tjetër. Po ashtu anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, kanë miratuar në parim projektligjin për Fondet Pensional të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168. Ndërsa ky Komision ka shtyrë për një mbledhje tjetër shqyrtimin e Projektligjit për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Kosovës dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport dhe shqyrtimin e Projektligjit për Shërbimin Mjekësor Emergjent. Komisioni me disa vërejtje të vogla kanë miratuar raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
“Me bërë njëjtë si tek Vala dhe ndërmarrjet publike, na obligon edhe ligji i ri që është sjellë në fund të vitit të kaluar, i cili thotë tekstualisht; çdo gjashtë muaj të shqyrtohet raporti që tregohen të hyrat, ngase mund të vije situata që ne prej buxhetit të jemi të detyruar me i dhënë para Valës, me i dhënë para tjetrit e tjetrit në mënyrë që ata të mund të funksionojmë. Pra ta marrim na një rol që na takon si Komision i Buxhetit dhe Financave. Ende Qeveria e Kosovës vazhdon të paguaj qira në qindra objekte. Na e kemi rastin ideal që përmes AKP-së ato objekte që mund të blihen të mund të blihen por ne mund të bëjmë një analizë dhe të dalim me rekomandime të Qeverisë. Nën një për objektet të cilat janë të lira të AKP-së e që und të merren“, tha Meta.
Më pas Komisioni ka shqyrtuar raportin e shpenzimeve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti të Kuvendit të Kosovës. Shqipe Pantina, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka kërkuar të di nga sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, llogari për shpenzimet e këshilltarëve të kryetarit të Kuvendit. Ndërsa, Enver Hoti nga Nisma, anëtar i këtij Komisioni, ka kërkuar të di pse janë bërë kaq shumë shpenzime jashtë vendit nga stafi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit.
“Ajo çka po e bënë më të veçantë është diferenca në mes këtij gjashtë mujori dhe gjatë mujorit të kaluar për 16 mijë euro që është shpenzimet tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit. Çka është kjo dhe pse po ndodh e gjithë kjo. Gjithë ky shpenzim. Mandej e keni një pjesë tjetër bileta të udhëtimit është një diferencë e madhe 47 mijë , 29 mijë në gjashtë mujorin e vitit 2015 për 18 mijë euro, kur dihet që ndoshta gjithë ato shpenzime , gjithë këto për bileta udhëtime si ju kanë dashur pa opozitën. Ku është efekti i këtyre udhëtimeve të ndryshme. A ka qenë ndonjë ekskursioni apo kemi pasur punë”, tha Hoti.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ju është përgjigjur pyetjeve të Komisionit duke thënë se administrata vetëm i zbaton vendimet dhe se nuk mund t’i komentoj ato.
Ndërsa bazuar në raportin e shpenzimeve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti këshilltarët e kryetarit të Kuvendit vetëm për mëditje dhe akomodim kanë shpenzuar mbi 18 mijë euro.






































