Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Politik, ku PD-LSI nuk morën pjesë, së parlamenti i ka votat për të miratuar ndryshimet kushtetuese të imponuara nga hapja e listave.
Kreu i qeverisë tha se maxhoranca ka vullnet dhe gatishmëri për të diskutuar për çdo paqartësi, por ritheksoi se parlamenti është funksional dhe i takon atij të marrë vendime.
Kreu i qeverisë la të kuptohet se ka marrëveshje me opozitën parlamentare për miratimin e ligjit zgjedhor.
“Ne erdhëm sot për të shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të diskutuar për çdo gjë të paqartë apo që ka krijuar keqkuptim. Është në interesin e PD-së që të zhvillojë këtë proces sepse faktikisht Këshilli Politik e ka kryer misionin e tij më marrëveshjen e 5 qershorit. Mbas 30 korrikut jeta politike vazhdon.Do të na duhet të reflektojmë në ligjin zgjedhor, çka kushtetuta lidhur me listat e hapura do të na imponojë dhe është absurde të shmanget diskutimi. Nuk jemi vend pa institucione, qëndrimi i opozitës jashtëparlamentare nuk e bën parlamentin inekzistent. Jam i keqardhur, sepse është një kohë shumë e shkurtër dhe nuk jemi në kushtet e ndonjë shtrengese apo halli të procesit, kemi konsensus me forcat parlamentare. Kushtetutshmërisht, me ligj dhe zakon, nuk kemi ndonjë hall, por kemi bërë gjënë e duhur.”, tha Rama.








































