Gjuriqi ambasadorit gjerman: Serbia do të insistojë në krijimin e shpejt të Asociacionit

14.09.2020 18:00:53

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqi, sot gjatë një bisede me ambasadorin gjerman në Beograd, Thomas Schieb, tha se shteti i tij do të insistojë në krijimin sa më të shpejtë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, gjatë dialogut Kosovë-Serbi.

Gjuriq dhe Schieb diskutuan për rrjedhën e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, duke iu referuar posaçërisht marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Uashington dhe temave që duhet të hapen në vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Gjuriq është shprehur optimist se normalizimi dhe përshpejtimi i bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit, “do ta krijojë hapësirën për bashkëpunim dhe pajtim, duke i kontribuar mirëqenies së tërë rajonit”, raporton Danas

“Beogradi nuk do të heqë dorë nga insistimi për krijimin sa më të shpejtë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, gjë që paraqet obligim të cilin Prishtina nuk e ka përmbushur për shtatë vjet e gjysmë”, ka thënë Guriq.