Thaçi nënshkruan dekretin për largimin e Vlora Çitakut nga Washingtoni

07.10.2020 13:49:34

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar dekretin për tërheqjen e ambasadores Vlora Çitaku nga misioni i saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dekret shkruan se Presidenti Thaçi më 2 tetor ka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në SHBA.

“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Çitaku ishte shkarkuar nga ky mision nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Çitaku do të qëndrojë në Uashington deri në emërimin e ambasadorit të ri.