Famà nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Marrëveshje finale Kosovë-Serbi duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë

13.10.2020 23:08:13

Bashkimi Evropian duhet të shikojë mundësinë që në platformën dialoguese Kosovë-Serbi, ta përcaktojë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, sugjeron Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit vjeshtor.

Kjo organizatë e pavarur, që analizon konfliktet në botë, megjithatë parashikon se zgjidhja finale do të përfshijë koncesione të mëdha, duke përfshirë autonomi të gjerë për komunat serbe apo shkëmbim të territoreve.

Njëri nga hartuesit e këtij raporti, Giuseppe Famà, udhëheqës i Çështjeve Evropiane në këtë organizatë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se BE-ja nuk duhet të imponojë kufizime në dialog dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në bindjen e Kosovës që të ridizajnojë platformën dialoguese. Sipas tij, nëse Kosova pajtohet për autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe, e njëjta duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës në Serbi.

Në raportin e fundit të organizatës tuaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i keni bërë thirrje BE-së që ta përcaktojë nëse ka mundësi, fokusimin e qartë në arritjen një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në njohje reciproke. A e shihni këtë si skenar të arritshëm?

Giuseppe Famà: Hapësira manovruese është shumë e ngushtë dhe siç e dini diplomacia shpeshherë ka bërë një hap para e dy prapa, për shkak të kompleksitetit të kësaj çështjeje. Çelësi definitivisht është që të shtyhet sa më shumë drejt një zgjidhjeje potenciale finale. Përfaqësuesi i ri i BE-së, Mirosllav Lajçak ka njoftuar Këshillin për Politikë të Jashtme të BE-së, të cilët e miratuan strategjinë e tij nga bisedimet e fundit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ekziston një momentum ndërmjet evropianëve që kanë ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje eventuale. Por, është e diskutueshme nëse kjo mund të arrihet shpejt.

Bilanci deri më tash mbetet i pandryshuar, pasi BE-ja ka pikëpyetjen e madhe për njohjen e ndërsjellë, pasi një gjë e tillë nuk është e thënë qartë në mandatin e përfaqësuesit special. Është e rëndësishme që për të arritur deri aty, të vijmë te një pajtim i ndërsjellë se marrëveshja për normalizim raportesh duhet të përfshijë njohjen, element që është i vështirë edhe për faktin se deri më sot, pesë shtete anëtare vazhdojnë që të mos e njohin Kosovën. Prandaj, në të vërtetë do të jetë çështje diplomacisë.

A e shihni të mundshëm arritjen e kompromisit në dialogun Kosovë-Serbi dhe a ka rrezik që bisedimet të dështojnë për shkak të retorikës aktuale?

Giuseppe Famà: Retorika nuk e ndihmon aspak dialogun dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Një nga rekomandimet tona është që BE-ja të dyfishojë përpjekjet dhe të luftojë keqinformimin rreth dialogut. Janë dy gjëra që duhet të theksohen këtu. E para, duhet kuptuar se nuk ka zgjidhje, ku fitues i plotë do të jetë vetëm njëra palë. Nuk mund të ndodhë një skenar ku Kosova dhe Serbia do të arrijnë të përmbushin kërkesat e tyre plotësisht, prandaj do të duhet të bëjnë koncesione. E dyta ka të bëjë me rolin e BE-së, e që nuk duhet t’i ndalojë Beogradin dhe Prishtinën që të identifikojnë vet zgjidhjen potenciale, që mund të mos jetë në tërësi me atë çfarë rekomandon Brukseli.

Në raportin tonë të Grupi të Krizave, ne i bëjmë thirrje BE-së që të përmbahet nga politika që të ndalojë palët që të diskutojnë zgjidhje, ku përfshihet edhe shkëmbimi i territoreve. Shumica e vendeve evropiane megjithatë e preferojnë një alternativë tjetër, ku përfshihet devolucioni apo autonomia më e madhe për komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe për Luginën e Preshevës, por deri më tash palët mund të kenë qenë edhe për zgjidhje të tjera. BE-ja duhet të evitojë përcaktimin e rezultatit të dialogut, para se palët të pajtohen për zgjidhje që mund të jenë të pranueshme për to.

Me këtë që po thoni, a besoni se ideja për shkëmbim territoresh është ende në tavolinë? Dhe nëse po, pse duhet të jetë?

Giuseppe Famà: Nga ajo çfarë kolegët tanë kanë identifikuar pasi e kanë përcjellë këtë çështje nga afër, të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmërinë që t’i konsiderojnë alternativat, duke përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve. Natyrisht, se kjo mbetet çështje mjaft e ndjeshme, pasi edhe alternativa tjetër për autonomi të komunave serbe, shihet si çështje problematike, veçanërisht në Kosovë. Prandaj njëra nga mënyrat që BE-ja për ndihmë është që të testojë palët se çfarë duan dhe të diskutojë prospektin e këtyre opsioneve, pa dalë publikisht duke kundërshtuar gjithçka që nuk është në platformën e saj (BE-së).

Pra, sipas jush, janë vetëm dy opsione: autonomi për komunat me shumicë serbe dhe shkëmbim territoresh. Por, Kosova deri më tash ka refuzuar që të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive. A besoni se do të jetë e gatshme për koncesione të tilla?