Raporti ndërkombëtar/ Irani, sulm kibernetik në Shqipëri gjatë pandemisë

14.12.2020 16:09:21

Një raport ndërkombëtar bën të ditur se Irani ka sulmuar dhe hakeruar një numër të rëndësishëm websitesh dhe llogarish të rrjeteve sociale me bazë nga Shqipëria. Bëhet fjalë për kompaninë Treadstone 71, e cila është e njohur për sigurinë kibernetike.

Ky studim, i raportuar nga Lëvizja për Iranin, MEK, thekson se kulmi i sulmit kibernetik mbi Shqipërinë i shërbimit sekret të Iranit, ishte kur nga kampi i Manzës, opozitarët iranianë që ndodhen në Shqipëri  zhvilluan një konferencë online me rrjetin e organizatës.

Folësja kryesore e këtij eventi ishte Maryam Rajavi kreu i opozitës iraniane, e ku u arrit një black out i rëndësishëm kibernetik që pati për pasojë edhe mjaft adresa në Shqipëri. Sipas raportit, këtë fushatë e udhëhoqën ekipet kibernetike të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe të forcave Basij të regjimit iranian.

Sulmi u zhvillua me anë të  hashtagëve dhe llogari që shtireshin sikur ishin disidentë apo kritikë të regjimit, por në fakt operonin nga Irani dhe ishin llogari të rreme të IRGC-së.

“IRGC ka përdorur një ekip thelbësor llogarish proksi, me shumë mundësi ekipe kibernetike të forcave Basij, për të nxitur mesazhet dhe për të udhëhequr fushatën. Ata ndërtuan llogari me numër të madh ndjekësish, zakonisht duke përdorur identitete femërore që prezantoheshin si kritike të qeverisë, por edhe më kritike ndaj MEK,” shton raporti.

Irani, prej disa muajsh është akuzuar nga shërbime të ndryshme botërore, si SHBA, Kanada por edhe në vendet e BE-së për një sulm kibernetik, madje edhe në zgjedhjet e fundit në SHBA. Disa vjet më parë, shërbimi sekret iranian tentoi të vendosë një bombë me anë të një makine, pranë Vorës, ku dhe ndodhej kampi i opozitarëve iranianë të MEK.

Pas atij veprimi, qeveria shqiptare largoi nga Shqipëria ambasadorin dhe një diplomat të Iranit. Një diplomati Iranian AssadollahAssadi,  u dënua para pak ditësh ne Belgjikë për akuzën se ai me disa bashkëpunëtorë, tentuan të shpërthenin një bombë në tubimin “Irani i Lirë” në Paris në 2018-ën.