Përfaqësuesit e bizneseve në takim me Hotin, kërkojnë të votohet buxheti para shpërndarjes së Kuvendit

22.12.2020 14:37:09

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi sot një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend, të cilët i informoi në hollësi me masat e reja anti Covid-19, që pritet të miratohen nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi nga data 23 dhjetor 2020.

Sipas njoftimit, komuniteti i biznesit ofroi mbështetje për masat e reja anti Covid-19  dhe insistoi që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021.

“Kryeministri Hoti i siguroi ata se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin”, thuhet në njoftim.

Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19.