Politikanët e fuqishëm kanë shkërmoqur sistemin e drejtësisë

21.09.2016 22:13:39

Nga Rexhep Kastrati

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka është kujtuar vetëm tash se me publikimin e audiopërgjimeve janë shkelë disa dispozita ligjore. Dhe për këtë ka faj gjykata që ka lejuar publikimin e atyre audiopërgjimeve, por edhe ata kolegë të vetë z. Beka që ua kanë vënë në duar disa gazetarucëve ato audiopërgjime. Dhe gjithë kjo duket se ka ndërhyrjen e politikës, përkatësisht të njerëzve të fuqishëm të saj, siç mund të jetë Kadri Veseli, i cili sipas hjasash qëndron mbrapa “Insajderit”. Këtë çështje, në fakt e kam trajtuar edhe në një shkrim të mëhershëm “A qëndron Kadri Veseli mbrapa “”Insajderit”?”, (http://www.fokusi.org/a-qendron-kadri-veseli-mbrapa-insajderit/). Mënyra se si e shtron z. Beka këtë çështje ka elemente të habisë, edhe pse do të duhej ta dinte se si funksionon sistemi i drejtësisë te ne. Derisa ka mundësi të konstatohet vdekja nga ataku kardiak gati dy dekada pas vdekjes, derisa lëshohen kriminelë nga burgu se më të sigurt janë në shtëpi, duhet të kuptohet se në çfarë derexhe është drejtësia te ne. Dhe si pjesë e sistemit të drejtësisë, z. Beka se modeli “Grabovci” funksionon edhe në drejtësi. Prandaj, më shumë sesa për vendimet e kundërligjshme të gjykatave (si ai për lejimin e publikimit të audiopërgjimeve, ashtu edhe ai për mosndalimin e publikimeve), është me rëndësi të kuptohet pse duhej të publikoheshin ato, dhe përse do të publikohen edhe të tjera (sipas gjasash bëhet fjalë për një vëllim të madh që mund të zgjasë deti në dy vjet). Pse duhej të publikoheshin pesë vjet më vonë? Pse u zgjodh Adem Grabovci? Pse pikërisht në këtë kohë? Çfarë qëllimi ka pasur Kadri Veseli apo dikush tjetër? A po synohen spastrime brenda PDK-së, apo gradualisht po synohet të goditet LDK për ta dobësuar para zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme? Duhet të kujtojmë se lufta speciale kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa dhe ndaj LDK-së ka për synim goditjen e kësaj të fundit që të mos mund të konsolidohet dhe të mos përdorë pozitivisht faktin se për herë të parë drejton Qeverinë e vendit. Për mua është po ashtu domethënës fakti se z. Beka në një portal të një miku tjetër të Kadri Veselit, ka shprehur shqetësimet për publikimin e audiopërgjimeve. A mos po bëhet fjalë si në rastin e emisionit “shtabi i milionerëve”, në të cilin gjoja u goditën jaranë të Berat Buzhalës, e më pastaj i njëjti u shfaq tepër i shqetësuar pas arrestimit të Azem Sylës?