Beteja elektorale po i afrohet fundit dhe se partitë kryesore politike po bëjnë kalkulimet e tyre finale se në cilat qarqe, qytete ku ato mund të kenë një rezultat më të mirë se sa katër vite më parë.
A do të arrijë PS-ja të marrë votat e duhura për krijuar qeverinë, apo do të kemi një fitore të opozitës? Kjo padyshim që do ta tregojnë votat e hedhura në kutinë e votimit më 25 prill.
Katër vite më parë, socialistët fituan të vetëm 74 mandate, ndërsa demokratët 43 mandate, LSI 19 mandate dhe PDIU 3 mandate. Sot pas katër vitesh kemi pothuajse të njëjtën garë politike. PS, PD dhe LSI kandidojnë më vete.
Ndërsa PD-ja, ka zyrtarizuar koalicionin me 10 parti, duke përfshirë brenda dhe PDIU-në e Shpëtim Idrizit, që katër vite më parë mori 3 deputetë, por që aktualisht mandatet e fituara i përkasin personave të zonës që kishin tepër ndikim, kujtojmë që vetë kreu i kësaj parti nuk doli deputet.
Në Shqipëri dihet që kryesisht qarqet e veriut të Shqipërisë janë më pro PD-së, ndërsa ato në jug më pro PS-së. Shifrat e zgjedhjeve të shkuara e kanë demonstruar atë. Por dy partitë e mëdha shpresojnë të marrim më shumë mandate, ose opozita të rikuperojë mandatet e humbura kryesisht në qarqet e mëdha, aty ku “prodhohen” më shumë deputetë.
Janë katër qarqe që kanë gjithsej 75 mandate, aq sa edhe numri magjik për formimin e qeverisë do të kenë efektin përcaktues në këto zgjedhje.
Qarku i Tiranës
Metropolit shqiptar i janë shtuar 2 mandate, në total do të ketë 36. Këtu do të përqendrohet edhe beteja më e madhe për faktin se ka edhe elektorat të përzier, me të pavendosur dhe ku jeton pjesa më e madhe votuesve që cilësohet si gri.
Katër vite më parë, PS mori 18 mandate, ndërsa PD 11 dhe LSI fitoi 5 mandate. Kjo është pasqyra e votave ku sot pas katër vitesh beteja bëhet edhe për dy mandatet plus.
PS pretendon 19 mandate, pra një më shumë se në 2017-ën. Ndërsa opozita, PD shprehet i ka të sigurta 19 mandate, dhe LSI synon 5 mandate.
Por në këto zgjedhje duhet të llogaritet edhe fakti se konkurrojnë disa parti të reja apo të vogla, si Nisma Thurje, Aleanca për Ndryshim, apo PSD dhe Bindja Demokratike që synojnë të marrin mandate deputetësh. Një pjesë e partive politike të reja, votat e tyre mund t’i marrin më tepër nga elektorati i djathtë se sa nga i majtë, dhe se për këtë me e rrezikuar është PD-ja. Kjo jo vetëm për Tiranën, por në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
Qarku i Durrësit
Durrësi është qarku ku PD-ja shpreson të thyejë rezultatin e 2017-ës. Katër vite më parë PS-ja mori 8 mandate, PD-ja 4 dhe LSI 2. LSI-ja ka pësuar një tronditje, pasi Lefter Koka është larguar nga kjo parti dhe kandidon për PS-në. Ai është një person që ka tepër ndikim në Durrës dhe që mund ta dëmtojë ndjeshëm LSI-në.
PD nga ana asaj pretendon se do ta fitojë në këtë qark. Edi Paloka, Agron Duka janë dy të parët e listës së PD-së. Ndërsa në listën e PS-së është i renditur i teti Edi Rama. Kryesocialisti është vendosur në këtë vijë zjarri, pasi ky është edhe synimi i PS-së, pra marrja e tetë mandateve, përsëritjen e rezultatit të 2017-ës. Sondazhet e ndryshme flasin për rezultat të barabartë mes PS dhe PD, duke lënë jashtë LSI-në, por zgjedhjet do ta tregojnë atë.
Qarku i Elbasanit
Elbasani njihet si zona më e nxehtë e këtyre zgjedhjeve. Jo më kot ndërkombëtarët kanë bërë të ditur se do të instalohen më 25 prill në këtë qark që nxjerr 14 deputetë. Në zgjedhjet e kaluara PD mori rezultatin më të dobët në histori, vetëm 3 deputetë, ndërsa PS-ja fitoi 7 mandate, LSI 2 mandate dhe PDIU 2 mandate.
Situata aktuale? PDIU mund të jetë dobësuar disi, pasi Aqif Rakipi nuk është më pjesë e saj. Socialistët pretendojnë të fitojnë 8 mandate në këtë qark, një më shumë se nga 2017-a. Ndërsa PD-ja sigurisht kërkon një mandat më te mirë se ai i katër viteve më parë dhe ta përmbysë. Gjithsesi në këtë zonë kandidon Rudina Hajdari nga Nisma Thurja, e cila synon të marrë edhe një mandat, e ku votat që mund të rrëmbejë i takojnë elektoratit të djathtë.
Qarku i Korçës
Ky qark ka 11 mandate gjithsej, katër vite më parë PS mori 6 mandate, PD 4 dhe LSI 1. Këto shifra tregojnë se gara do të jetë tejet e fortë, pasi edhe në vitin 2013 ka qenë i njëjti rezultat, por se ka pasur një mandat më shumë, ku PS kishte 6, PD 5 dhe LSI 1. Ky qark pritet të shihet nëse do të dhurojë të njëjtën rezultat, apo PD do të dhurojë ndonjë rezultat tjetër.
Në këto zgjedhje do të ketë dy lloj votimesh, një për partinë politike dhe preferencial për kandidat. Kjo do të ndikojë dhe në grumbullimin e shumë vota preferenciale dhe jo vetëm të partive politike.
Tashmë në këtë betejë do të ketë edhe një përplasje mes dy partive opozita, PD dhe LSI se cilat do të marrë më shumë mandate, pavarësisht se kanë koalicion në letër, por konkurrojnë më vete. Sa më shumë LSI të marrë mandate, aq më shumë PD-ja do të ndjehet në një presion të madh, nëse merr pushtet i duhet të bashkëqeverisë, jo vetëm partitë aleate që konkurron si koalicion zyrtar në KQZ, por edhe me LSI-në. Gazeta Shqip






































