Numri i të vaksinuarve në Shqipëria ka shkuar në rreth 766 mijë. Shifra është zbuluar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila shkruan se objektivi për 1 milion vaksinime brenda qershorit është i mundur.
“765 643 vaksinime të kryera që prej fillimit të fushatës #ShqipëriaBuzëqesh #Vijojmë pa u ndalur drejt objektivit 1 milion vaksinime brenda qershorit “, shkruan Manastirliu, e cila ka publikuar edhe disa foto nga vaksinimi i operatorëve turistikë në Vlorë.
Sot, 1 i vdekur dhe 21 raste të reja
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit ka kryer 2807 testime nga të cilat 21 persona kanë rezultuar pozitivë. Nga ana tjetër, pas dy ditësh pa asnjë të vdekur, sot një person i infektuar me covid nuk ia doli dot të fitonte betejën me sëmundjen.
Numri i rasteve aktive me covid në të gjithë vendin ka rënë në 740, ku 343 prej tyre janë në Tiranë. Dibra është qarku me më pak të infektuar me vetëm 4 raste.
Situata në spitale
Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 41 pacientë, nga të cilët 6 pacientë janë në terapi intensive.













































