Lëvizja “Vetëvendosje” nuk dallon shumë nga partitë tjera, kur është fjala te punësimet partiake.
Kjo Lëvizje si në Komunën e Prishtinës, ashtu edhe në ndërmarrjet e kontrolluara prej saj, po vazhdon të punësojë vetëm aktivistët e saj, duke anashkaluar çdo kriter e duke bërë vlerësim të njëanshëm të kandidatëve.
Së fundmi, Rajmonda Ahmetaj, e njohur si aktiviste e Lëvizjes “Vetëvendosje”, është emëruar në pozitën “Zyrtare për marrëdhënie me publikun në Ndërmarrjen Publike Banesore”, institucion ky i kontrolluar dhe menaxhuar nga militantët e “Vetëvendosjes”.
Emërimi i saj është bërë me datë 3 tetor, pas konkursit që ka shpallur kjo ndërmarrje. Shpalljen e fituesit e kanë konfirmuar për Gazetën Express edhe zyrtarët e Ndërmarrjes Banesore.
“Vendimi për shpalljen e fituesit është shpallur më 3 tetor”, kanë thënë zyrtarë të burimeve njerëzore në Ndërmarrjen Banesore të Prishtinës.
Ndërkaq, Ahmetaj është aktiviste e “Vetëvendosjes” dhe pjesë e organizatës studentore të kësaj lëvizjeje – “Kritikë, Studim, Veprim”. Aktivitetet e saj pro Lëvizjes “Vetëvendosje” shihen edhe në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”.
Më 20 shtator disa ditë para intervistës me gojë, ajo shpërndan në llogarinë e saj në “Facebook” një status të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, një sqarim rreth uzurpimit të banesave në “Dardani”, pronë e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Më 1 shtator ajo shpërndan një status të kryetarit të LVV-së, Visar Ymeri. Ndërsa më 26 gusht ajo shihet duke protestuar kundër Qeverisë.
Ajo është pjesëmarrëse aktive në protestat dhe aksionet e “Vetëvendosjes”, si protesta kundër “Klanit Pronto” apo protesta kundër kishës brenda hapësirës universitare.
Karrierën Ahmetajt e ka bërë si aktore në Teatrin e Kukullave “Dodona”, por jo në sferën e mediave dhe komunikimit, e cila ka qenë, sipas konkursit, ndër kriteret kryesore.