Policia arreston një aktivist të Vetëvendosjes

07.10.2016 14:23:32

Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në orët e paradites së sotme,  policia  ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Naser Shatrin.

Vetëvendosje ka reaguar ndaj këtij arrestimi, duke e etiketuar policinë si “Polici e klanit Pronto”.

Më poshtë gjeni komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje:

Aktivisti Shatri, njëkohësisht ish – ushtar i UÇK-së, është arrestuar në  lidhje me aksionin protestues të rrotullimit të xhipave të EULEX-it, në  vitin 2009, me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëronte se ky  mision ndërkombëtar nuk do të sillte drejtësi. Një gjë e cila u vërtetua  më përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në korrupsion, për luftimin  e të cilit edhe thirren.

Klani “Pronto” në vazhdimësi është duke e përdorur Policinë si mjet për  ta luftuar opozitën, teksa aferat e këtij klani sa vijnë e shtohen.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit Naser Shatri dhe kërkojmë  që të pushojnë përndjekjet ndaj aktivistëve tanë. Ashtu siç u dëshuma se  misioni i EULEX-it është i padrejtë e i korruptuar, po aq e qartë është  nevoja për largimin e klanit “Pronto” nga pushteti, këtij organizimi  kriminal që po e shkatërron vendin.

Përpjekja jonë për çlirimin e institucioneve, vendosjen e drejtësisë dhe  Republikën e së drejtës nuk do të ndalet asnjëherë. Lufta jonë për  drejtësi do të vazhdojë. Çlirimi i Kosovës nga klani “Pronto” do të  ndodhë.