Trepça veç e Kosovës

08.10.2016 09:11:00

Lëvizja “Vetëvendosje” është e bindur se tash pas miratimit të Ligjit për “Trepçën” i mundësohet Qeverisë që ta shesë atë pjesë-pjesë. “Trepça” tash e tutje do të jetë Shoqëri Aksionare me pjesëmarrjen e Qeverisë në shumicën e aksioneve.

Qeveria e Kosovës bëhet zyrtarisht aksionari kryesor i gjigantit metalurgjik “Trepça” me 80 për qind pjesëmarrjeje, derisa punëtorët bëhen pronarë me 20 për qind të aksioneve. Me procedurë të përshpejtuar Kuvendi i Kosovës ka miratuar pasmesnate Projektligjin me të cilin “Trepça” shndërrohet në Shoqëri Aksionare. Me gjithë insistimin e Listës Serbe që ky ligj të mos kalojë, ai është miratuar me shumicë votash.

Edhe dy subjektet e vogla opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, e kanë mbështetur këtë atë Lëvizja “Vetëvendosje” ka dhënë kritika të shumta duke e vlerësuar se kjo metodë i mundëson Qeverisë që ta shesë “Trepçën” pjesë-pjesë, prandaj kërkonte që Kuvendi të mos përjashtohet nga vendimmarrja për çështjen e “Trepçës”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ky ligj ka një rëndësi të veçantë për Kosovën. Sipas tij, ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës dhe se me këtë ligj prona e “Trepçës” mbetet pronë e Republikës së Kosovës.

“’Trepça’ sipas këtij ligji do të organizohet si Shoqëri Aksionare, ku aksionare me 80 për qind do të jetë Qeveria e Kosovës dhe 20 për qind e aksioneve do të jenë të punëtorëve të ‘Trepçës’. ‘Trepça’ do të jetë një korporatë unike, me bilanc të konsoliduar por njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre.

Projektligji siguron përkujdesje ligjore. Për këtë projektligj janë zhvilluar konsultime me akterë të ndryshëm punëtorët e ‘Trepçës’, ekspertë të pavarur dhe njohës të kësaj fushe”, ka theksuar Mustafa. Përderisa dy partnerët e mëdhenj të koalicionit, PDK dhe LDK, e kanë mbështetur këtë projektligj duke thënë është në të mirë të vendit, subjekti i tretë më i madh në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” e ka kundërshtuar projektligjin. Ndërsa gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji në Komision për Zhvillim Ekonomik u shtuan 21 amendamente, me të cilat u tha se fuqizohet roli i Kuvendit.

“Kemi pasur kërkesa për forcimin e rolit të Kuvendit. Për këtë çështje janë tri amendamente me të cilat roli i Kuvendit është forcuar. Kuvendi e jep pëlqimin për statutin para se aksionarët ta aprovojnë atë. Gjithashtu Kuvendi duhet të japë pëlqimin lidhur me shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe transformimeve pronësore”, ka deklaruar kryetari i këtij Komisioni, Muhamet Mustafa në seancën e dytë që filloi pas orës 24:00.

Gjatë votimit të këtyre amendamenteve ka pasur probleme me aparaturën e Kuvendit. Me këtë rast, deputeti Glauk Konjufca, ka thënë “Kur nuk jeni në gjendje për ta rregulluar aparaturën me 5 butona, nuk e di se si do të mund ta rregulloni ‘Trepçën’”. /Zeri/