Raporti gjashtëmujor i buxhetit Janar-Qershor 2016

24.07.2016 17:31:12

 

Avdullah Hoti

Gjashtëmujori i parë i vitit 2016 është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Ndikim në këtë rritje kanë pasur:
a)
masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes,
b) rritja e besueshmërisë së investitorëve, si dhe
c) përmirësimi i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi.
d) masat e ndërmarra nga agjencitë mbledhëse të të hyrave për ngushtimin e hendekut tatimor dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave tatimeve.

Performanca e të hyrave

Të hyrat buxhetore (ku hyjnë të hyrat tatimore dhe jo-tatimore) kanë shënuar rritje prej 14.1%, që është 91 milionë euro më shumë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit paraprak.

Të hyrat nga Doganat kanë qenë 473 milionë euro, apo 17.6% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Këto të hyra nga Dogana janë realizuar pavarësisht dy zhvillimeve:
(a) fillimit të implementimit të MSA-së nga 1 prill 2016, ku efekti në të hyra ka qenë 5 milion euro më pak nga taksa doganore dhe
(b) nga lirimet nga TVSH në import të lëndës së parë dhe makinerive prodhueset kanë qenë 10.3 milionë euro për këtë tremujor.

Të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë qenë 177.3 milionë euro, apo rreth 9.1% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Në përgjithësi, kjo performancë e të hyrave ka qenë kryesisht e ndikuar nga rritja e kërkesës së brendshme agregate. Kjo konfirmohet edhe nga struktura e të hyrave tatimore nga ATK dhe Dogana e Kosovës, ku të hyrat nga tatimi në të ardhurat e korporatave janë rritur me 23% krahasuar me vitin e kaluar, pasuar nga të hyrat nga akzica që janë rritur me 19%.

Të hyrat jo-tatimore kanë arritur 94.2 milionë euro, apo 7.5% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Kjo rritje ka qenë e shtyre kryesisht nga të hyrat jo-tatimore të organizatave buxhetore të nivelit qendror, ku rritja është mbi 30%. Trend rritës vërehet edhe në kategorinë e të hyrave vetanake të nivelit lokal, por krahasuar me parashikimet kemi realizim vetëm preju 65.8% të planit për këtë periudhë.

Të hyrat nga taksa koncesionare e aeroportit kanë pasur një rritje prej 10% dhe kanë qenë 3.2 milion. Ndërkaq, të hyrat nga tantiema kanë arritur 14.6 milion, me një rritje prej 4% më shumë se vitin e kaluar. Ngecje kemi pasur në të hyrat nga dividenta, ku nga 23 milion të planifikuara për këtë vit, PTK nuk ka paguar asgjë deri më tani.

Sa i përket të hyrave nga huamarrja, kemi realizuar 101.7 milionë euro, prej të cilave 59.5% nga huamarrja e brendshme. Huamarrja e jashtme gjatë kësaj periudhe ndërlidhet kryesisht me disbursimin nga FMN në kuadër të programit.

Të hyrat nga tatimi në pronë në komuna kanë pasur një rritje prej 16%, por këtu hyjnë edhe inkasimi i borxheve bazuar në ligjin për faljen e borxheve. Kështu që nuk është e qartë sa është rritja reale nga inkasimi i tatimit në pronë. Megjithatë, në disa komuna ka rënie të inkasimit, siç komuna e Prizrenit dhe Deçanit (-11%), Mamusha (-25%), Juniku (-3%), Shtimja dhe Graçanica (-4%), Drenasi (-1%) etj.

Performanca e shpenzimeve

Shpenzimet buxhetore kanë arritur në 716.4 milionë euro (përfshirë edhe pagesën e interesit) përgjatë tremujorit të parë të vitit 2016, apo 6.9% më shumë krahasuar me vitin paraprak. Krahasuar me parashikimin kemi shpenzuar 15.7 milion me pak përkatësisht 97.9% nga parashikimin për këtë periudhë.

Nga këto shpenzime, 38.0% janë paga dhe mëditje, 29.6% janë subvencione dhe transfere, 18.2% janë shpenzime kapitale, 12.2% janë mallra dhe shërbime, dhe 1.4% pagesa e interesit për borxhin shtetëror.
a) Shpenzimet për paga dhe mëditje gjatë kësaj periudhe janë rritur me 4.5% krahasuar periudhën e njëjte të vitit 2015, që vjen si rezultat i implementimit të kontratës kolektive.
b) Shpenzimet në mallra dhe shërbime kanë shënuar një rënie për 2.7% krahasuar me vitin 2015. Rënia e shpenzimeve është në veçanti në lëndët djegëse, mobilje dhe pajisje, dhe blerje të shërbimeve.
c) Shpenzimet në subvencione dhe transfere janë rritur rritje prej 7.9% krahasuar me vitin 2015. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së pensioneve kontribut-dhënëse, rritjes prej 25% të përfitimeve për asistencë sociale dhe përfitimeve për veteranët e luftës.
d) Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar me një normë të kënaqshme, kanë arritur në 134.2 milionë euro, që është 16.1% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Rritjen më të lartë në kuadër të kësaj kategorie e kanë shënuar shpenzimet në ndërtimin e rrugëve, të cilat kanë regjistruar rritje prej 42%.
e) Shpenzimet për shërbimin e borxhit shtetëror kanë regjistruar 42.7 milionë euro, dhe pjesa më e madhe është shlyerje e borxhit ndaj FMN-së nga programi i vitit 2012.

Gjendja e fondeve me 30 Qershor 2016

Bilanci i fondeve më 30.06.2016 ka qenë 346.45 milionë euro. Gjendja e bilancit në fillim të vitit ka qenë 256.5 milionë Euro, pra kemi një rritje të fondeve në llogarinë bankare të qeverisë prej 87.2 milionë Euro.