Në orët e vona të pas ditës të së martës, Ministri i FSK-së Haki Demolli i shoqëruar nga zëvendësministri Muhamet Latifi, Sekretari i Përgjithshëm Shkëlzen Sylaj dhe gjeneral brigade Zymer Halimi drejtor i Drejtorisë së Operacioneve në MFSK, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli ushtrues detyre Komandant i Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së dhe bashkëpunëtorë të tjerë, vizituan kampin e FSK-së në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit.
Në këtë kamp fushor janë të vendosur pjesëtarët e FSK-së në kuadër të ushtrimit fushor “Shqiponja-5”.
Në fillim ministri Demolli është njoftuar nga komandanti i kampit nënkolonel Mehmet Lladrovci, me skenarin e ushtrimit fushor.
Kurse komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë kolonel Xhevahir Geci e ka njoftuar ministrin dhe bashkëpunëtorët me ecurinë e zhvillimit të ushtrimit fushor, motivin dhe angazhimin e ushtarëve për të realizuar objektivat e stërvitjes si dhe kushtet e vendosjes dhe akomodimit.
Ministri Demolli i ka përgëzuar ushtarët, oficerët e FSK-së për angazhimin e madh në realizimin e detyrave në ushtrim fushor, po ashtu ai posaçërisht ka falënderuar edhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës, për kontributin e tyre në përgatitjen, por edhe bashkëpjesëmarrjen praktike në këtë ushtrim fushor, duke ngritur nivelin e rezultateve të stërvitjeve dhe ushtrimit fushor “Shqiponja -5”.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, në këtë ushtrim fushor për herë të parë janë pjesëmarrës aktiv kudo nëpër njësi, krah për krahë me ushtarët dhe oficerët e FSK-së edhe ushtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës nga SHBA-ja.
Po ashtu më këtë rast ministri Haki Demolli duke numëruar sukseset e FSK-së falënderoi dhe uroi të gjithë pjesëtarët e FSK-së edhe për rezultatin në stërvitjen e marshimit “Cambrian Patrol” në Vells të Mbretërisë së Bashkuar, ku togu i FSK-së u nderua me medalje të artë, duke na bërë që të ndihemi krenar.
Ministri Demolli me këtë rast ka bashkëbiseduar me ushtarë dhe oficerë për rrjedhat e ushtrimit vështirësitë dhe kushtet e përgjithshme të qëndrimit në natyrë.
Po ashtu Ministri së bashku me ushtarë dhe eprorë të FSK-së kanë darkuar në kuzhinën fushore të kampit. Ushtrimi fushor “Shqiponja -5”, mbahet në disa pjesë të Kosovës si; në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.