Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për “vjedhje të rënda” dhe “vjedhje të veturave”, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet në kërkim policor, njofton Klan Kosova.
Arrestimi ka ndodhur në procesin e hetimeve konsistente nga zyrtarët policorë lidhur me rastet e disa vjedhjeve të rënda dhe vjedhjeve së veturave që kohëve të fundit janë shqetësuese për qytetarët tanë por edhe për vetë Policinë e Kosovës,
Policia, respektivisht hetuesit rajonal nga Drejtoria Rajonale në Prishtinë, kanë pranuar disa prej rasteve të cilat për nga mënyra e kryerjes kanë qenë të njëjta dhe dyshohet se janë të kryera nga individë apo grup i njëjtë i të dyshuarve, thuhet në njoftimin e policisë.
“Bazuar në hetime policore ky grup dyshohet se është i përbërë nga katër persona, por që numri i tyre mund të jetë edhe më i madh”.
Grupi është vëzhguar dhe monitoruar nga Policia që nga muaji tetor.
Ky grup, dyshohet të ketë kryer vjedhje të rënda në lagjen Veternik dhe në fshatin Qagllavicë, kryesisht nëpër shtëpi, ku para tyre ka pasur të parkuara vetura të shtrenjta.
“Të njëjtit vjedhjet i kanë kryer pas mesnate, derisa banoret e shtëpisë kanë qenë duke fjetur, me ç’rast ata kanë vjedhur gjësende me vlerë dhe çelësat e veturave dhe me pas në largim e sipër duke i vjedh edhe veturat”, tregon policia.






































