Vaclav Havel, këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar

07.12.2016 13:55:45

“Opera për tre grosh” vepra e njohur e ish presidentit të ndjerë cek Vaclav Havel do të ngjitet këtë fundjavë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Mehmet Xhelilit. E njohur ndryshe me titullin e origjinalit Opera e lypsarit, ajo është një nga komeditë më të veçanta të Havelit.

Teatri 1Ajo u shkruajt në vitin 1972, por u shfaq për herë të parë në 1 nëntor 1976. Ashtu si edhe drama muzikore me të njëjtin titull e Bertolt Brehtit, ajo është mbështetur mbi disa motive të veprës Opera e Lypsarit të dramaturgut anglez të sh. XVII, Xhon Geit. Haveli e ka zhveshur veprën e Geit nga burimi i saj muzikor, ka shkurtuar disa nga personazhet dhe është përqendruar vetëm në lojën plot mirësjellje në dukje, por në thelb të përgjakshme, të pushtetit midis Piçëmit, Mekit dhe Lokit, gjithë secili një personalitet i “shquar” në radhët e policisë dhe grupeve rivale kriminale; veprimi vjen e shpërfaqet plotësisht kur Lokit, komisari i policisë, na zbulohet si bos i fshehtë por absolut i botës së krimit.

Teatri 2Në role në këtë vepër interpretojnë aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Arjola Basho, Julinda Emiri, Gert Ferra, Genti Decka, Gent Hazizi, Igli Zarka, Xhuliano Brisku. Skenografia është nga Genc Shkodrani ndërsa kostumet nga Anila Zajmi. Pas një kohe të gjatë provash vepra do të vijë për publikun e Teatrit Kombëtar në datat 9-10-11 Dhjetor ora 19:00.