Kuvendi Komunal në Mitrovicë është duke zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me ndërtimin e murit në veri të Mitrovicës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka cilësuar ndërtimin e murit si provokim nga ana e serbëve, me qëllim të ndërprerjes së punimeve në urë.
“Lidhur me çështjen e ndërtimit të murit i kam informuar të gjitha organet ndërkombëtare. Kur i kemi larguar 36 barrikada do ta largojmë edhe pengesën e murit ” ka deklaruar Bahtiri.
Kuvendi i Komunës së Mitrovicës po mbanë një mbledhje të jashtëzakonshme, ku po diskutohet situata politike dhe e sigurisë pas ndërtimit të murit matanë urës së Ibrit.
Në këtë mbledhje e thirrur me kërkesë të grupit të asambleistëve të PDK-së, ka bërë që shefi i këtij grupi, Rrustem Musa të kërkoj nga Kuvendi Komunal miratimin e një deklarate politike, ku kërkohet nga institucionet e Kosovës dhe ndërkombëtare që të sigurohet e drejta për qarkullim të lirë të gjithë qytetarëve, duke bërë rrënimin e menjëhershëm të murit ndarës.