Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se është duke monitoruar me kujdes vlerat e ndotjes së ajrit në 6 pika në Prishtinë dhe ato vlera tash e një vit janë në webfaqen e Komunës.
Po ashtu duhet të potencohet se ndotja e ajrit në Prishtinë nuk është fenomen i tanishëm, por situatë me të cilën Prishtina është përballur qe një kohë, e posaçërisht në periudha të temperaturave të ulëta, për shkak të përdorimit të formave alternative të ngrohjes.
Komuna e Prishtinës ka radhitur disa nga arsyet kryesore të ndotjes së ajrit:
1. Termocentralet në Kastriot/Obiliq;
2. Lejimi i importimit të automjeteve të vjetra;
3. Cilësia e naftës se importuar – me sasi të lartë të sulfurit;
4. Burime te ngrohjes ne amvisni (qymyri dhe druri) në pamundësi të shfrytëzimit të burimeve alternative tjera;
5. Ndërtimet e shumta dhe zvogëlimi i hapësirave të paasfaltuara apo betonuara;
“Në këtë drejtim sigurisht se ka masa afatshkurtëra dhe afatgjata për përballimin e situatës. Komuna e Prishtinës ka kërkuar dhe kërkon vazhdimisht nga autoritetet qendrore që të ndryshojnë vendimin për importimin e automjeteve të vjetra, si dhe të shtohet kontrolli i cilësisë së naftës e cila po shkakton ndotjen më të madhe të ajrit”, thuhet më tej në njoftim.
Komuna e Prishtinës në aspektin afatgjatë ka ndërmarrë këto masa:
1. Mbjelljen e mbi 3000 drunjve në dy vitet e fundit dhe shtimin e hapësirave të gjelbërta;
2. Kogjenerimi ka ofruar ngrohje të qëndrueshme dhe të përballueshme për 12,000 familje ose përafërsisht 60,000 banorë, duke reduktuar nevojën që këto familje të përdorin forma alternative të ngrohjes. Vitin e ardhshëm do të zgjerohet rrjeti edhe për 30,000 banorë të tjerë. Tashmë Prishtina ka reduktuar shpenzimin e energjisë elektrike për 20 përqind gjatë dimrit, por kjo natyrisht nuk ka ndryshuar prodhimin e termocentraleve në Obiliq. Megjithatë ka reduktuar përdorimin e formave alternative;
3. Blerja e 51 autobusëve me Euro 6 standard për reduktimin e emitimit të gazrave të dëmshme. Po ashtu në përfundim është rregullorja e re për taksi që tashmë do të ketë vetëm licenca për standarde të reja të makinave;
4. Rritja e pejsazhit të mbrojtur Gërmia në 2000 hektarë që është më shumë se dyfishim i hapësirës së mbrojtur nga ndërtimet;
1. Inspektimi i shtuar ndaj hapësirave ku ka ndërtim dhe shqiptimi i masave të menjëhershme në rast të krijimit te pluhurit;
2. Inspektim i shtuar ndaj bizneseve të vogla që përdorin djegie të tepruar të qymyrit dhe drunjve dhe nuk i kanë masat adekuate të filtrimit (furra, skara dhe të ngjashme);
3. Inspektim i shtuar në kontrollimin e lëndëve djegëse në bizneset e vogla dhe objektet kolektive;
4. Pastrimi më i shpeshtë i rrugëve;
5. Zbrazja e shpeshtuar e kontejnerëve;
6. Ndalimi i shfrytëzimit te fishekzjarreve;
Nga komuna është kërkuar edhe vendimi i ndalimit të veturave sipas regjistrimit Çift dhe Tek, në ditë të caktuara, mirëpo që kjo për shkak të numrit të policëve të trafikut dhe për shkak që nuk është kompetencë e Komunës është gati se e pazbatueshme.
Komuna po konsideron mbylljen e disa rrugëve për qarkullim të automjeteve për ta zbutur situatën. Kjo do të shkaktojë vonesa në komunikacion, por këto masa janë të domosdoshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Komuna kërkon nga qytetarët që të lajmërojnë bizneset dhe ekonomitë familjare ndotëse në numrat 080012233, 080012244 dhe 080012255, dhe po ashtu kërkon nga qytetarët që të zvogëlojnë përdorimin e makinave në këtë situatë, duke u dakorduar me kolegët që disa persona të përdorin një veturë gjatë shkuarjes dhe kthimit nga puna.