Nesër në Bruksel ritakohen “të mëdhenjtë” e Kosovës dhe të Serbisë

31.01.2017 18:01:26

Presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë nesër do të takohen në raundin e ri të dialogut në Bruksel. BE-ja do të jetë ndërmjetësues në dialog dhe krerët e të dyja shteteve pritet të flasin për çështje të hapura dhe për marrëveshjet e rëna dakord, por edhe për të çuar më tej dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri dhe presidenti i Kosovës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi dhe kryeministri dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Tomisllav Nikoliq do të ulën edhe një herë në të njëjtën tavolinë në Bruksel.

“Mund të konfirmoj se kryeministri Mustafa dhe presidenti Thaçi dhe kryeministri Vuçiq dhe presidenti Nikoliq, do të vijnë në Bruksel të mërkurën me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së Mogherini, për të marr pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, njoftoi zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq.

Në Bruksel thonë se presin marrëveshje mbi çështjet e pazgjidhura, zbatimin e çështjeve të dakorduara të marrëveshjeve të cilat nuk janë aplikuar ende në terren, si dhe të vazhdohet dialogu për normalizim të marrëdhënieve.

Zyrtarët evropian nuk kanë dashur të konkretizojnë se cilat tema do të fliten nesër, por është e qartë se ka një numër çështjesh të pazgjidhura dhe marrëveshjeve.