Kuçi: Qeveria do të japë mendim pozitiv për transformimin e FSK-së

08.03.2017 14:11:37

Për paralajmërimin e transformimit të FSK-së në ushtri ka folur zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi duke thënë se ky proces është i domosdoshëm edhe në funksion të mbrojtjes së tërësisë territoriale, të qytetarëve dhe pronës së tyre.

“Iniciativa për formimin e ushtrisë së Kosovës është një proces i plotësimit të institucioneve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale të fushës së sigurisë. Ishte proces i gjatë dhe rezultat i angazhimeve të qytetarëve tanë që nga koha e ambicieve tona për liri dhe pavarësi dhe natyrshëm sublimon vijimësinë e këtyre përpjekjeve. Është një proces i natyrshëm pas transformimit të UÇK-së, TMK-së dhe Rishikimit të Sektorit të Sigurise vite më parë gjithmonë në partneritet ndërkombëtar”- ka sqaruar Kuçi duke thënë se është proces i domosdoshëm edhe në funksion të mbrojtjes së tërësisë territoriale të qytetarëve dhe pronës së tyre.

Tutje Kuçi ka thënë se Ushtria e Kosovës do të jetë e ngritur mbi vlerat kombëtare, por do të mbroj çdo qytetarë të vendit pa dallime etnie si dhe do të jetë partnere e NATO-s dhe bashkëpunuese me KFOR-in në dobi të paqes në vendin tonë dhe në botë, aty ku është nevoja.

“Sot secili komunitet pakicë në Kosovë, është integruar në Forcat e Sigurisë së Kosovës më mirë se në të gjitha institucionet tjera. Kjo i jep edhe më shumë kuptim gjithëpërfshirës Ushtrisë së ardhme të Kosovës dhe është një motivim shtesë për të gjitha komunitetet, përfshi serbët e Kosovës që ta mbështesin e ta votojnë atë pa dallim. Tanimë kjo çështje është ne procedure të inicuar nga Presidenti dhe Kryesia e Kuvendit proceduralisht do ta dërgoj ne Qeveri e cila shpejt do ta jep medimin pozitiv.

Ushtria e Kosovës do të jetë profesionale, shume etnike, do të jetë e gjithë qytetareve pa ngjyrime politike, do të jetë Ushtri e paqes dhe në funksion të paqes çdo herë”- tha Kuçi.