Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se Dialogu në Bruksel ka kontribuar që Kosova të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim.
Ajo gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim të martën, ka thënë se Kosova ka dëshmuar të jetë një partner i ndërtimit të paqes në rajon, dhe kjo ka bërë që edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta përkrahinin të ardhmen europiane të Kosovës duke e votuar MSA-në.
“Dialogu i Brukselit për fqinjësi të mirë dhe angazhimi serioz i Kosovës në këtë dialog ka kontribuar drejtpërsëdrejti për marrjen e Marrëveshjes Stabilizim Asociim, për faktin se Republika e Kosovës është dëshmuar të jetë një partner kredibil në ndërtimin e paqes, fqinjësisë dhe stabilitetit në rajon. Kjo ka bërë që edhe pesë vendet e BE-së që se kanë njohur Kosovën, ta mbështesin ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe të votojnë pro MSA-së për Kosovën”, ka thënë Tahiri, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës konsideron se dialogu i Brukselit ka prodhuar rezultate të rëndësishme dhe të gjitha marrëveshjet janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Marrëveshjet e Brukselit kanë kontribuar që Kosova të shtrijë dhe konsolidoj sovranitetin shtetëror edhe në veri të vendit, përmes vendosjes së institucioneve shtetërore në komunat veriore dhe shuarjes së strukturave paralele serbe që kanë vepruar që nga përfundimi i luftës, në fushat ku janë arritur marrëveshjet”, ka thënë Tahiri ndër të tjera.






































