U mbajt Akademi Përkujtimore për Komandantin Ilaz Kodra

28.04.2017 16:44:14

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 18-vjetorit të rënies heroike të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para familjarëve të Komandantit Ilaz Kodra, familjarëve të dëshmorëve dhe të pranishmëve të shumtë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, vlerësoi figurën e Komandantit Ilaz Kodra, si njërin prej prijësve më të shquar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ministri Abrashi tha se Komandanti Ilaz Kodra ishte nga të parët, në radhët e atyre që kuptuan se fundi i historisë së padrejtë vjen duke punuar më shumë dhe duke u flijuar deri në fund, për liri dhe drejtësi. “Ilaz Kodra ishte pjesëtar i celulave të para të UÇK-së, bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Ishte ndër të parët që mori pjesë në përgatitjet për luftë të armatosur duke u stërvitur në Shqipëri. Ilaz Kodra ishte nga të parët që kishte kuptuar se, sa më të bashkuar do të jemi kundër të keqes, aq më shpejt do të arrihet drejtësia dhe liria. Prandaj, ai mobilizoi edhe të tjerët për t’u organizuar dhe vepruar kundër pushtuesit”, tha ministri Abrashi.
Të pranishmit në këtë Akademi Përkujtimore, i kanë përshëndetur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa në emër të Institutit të Historisë, drejtori Sabit Syla.
Në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti vajza e Komandantit Ilaz Kodra, Sumea Kodra.

Fjala e ministrit Arban Abrashi në Akademi:

Sot, sikur çdo vit, po e kujtojmë me respektin më të madh Heroin e Kosovës, Ilaz Kodra. Lufta dhe veprimtaria e tij është e paharrueshme. Kujtimi për të me të drejtë do të jetë i përhershëm.
Liria dhe pavarësia të cilën po e jetojmë sot, është fryt i flijimit të tij dhe shokëve të tij për atdhe. Liria e Kosovës do të vinte më vonë, sikur njerëzit si Ilaz Kodra të mos punonin me aq përkushtim dhe të mos aktivizoheshin me aq vendosmëri.
Ai ishte nga të parët, në radhët e atyre që kuptuan se fundi i historisë së padrejtë vjen duke punuar më shumë dhe duke u flijuar deri në fund, për liri dhe drejtësi.
Ilaz Kodra ishte pjesëtar i celulave të para të UÇK-së, bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Ishte ndër të parët që mori pjesë në përgatitjet për luftë të armatosur duke u stërvitur në Shqipëri. Ilaz Kodra ishte nga të parët që kishte kuptuar se, sa më të bashkuar do të jemi kundër të keqes, aq më shpejt do të arrihet drejtësia dhe liria. Prandaj ai mobilizoi edhe të tjerët për t’u organizuar dhe vepruar kundër pushtuesit.
Ilaz Kodra organizoi dhe mori pjesë në shumë aksione drejtpërdrejtë, për t’i shkaktuar humbje të mëdha armikut dhe për t’i mbrojtur një numër të madh qytetarësh civil të rrezikuar.
Ilaz Kodra ra heroikisht në këtë datë, ai ra me lavd dhe me nder duke mbrojtur civilët e pambrojtur të cilët po sulmoheshin në mënyrë qyqare nga paramilitarët serb.
Me vendosmërinë dhe flijimin e heroit Ilaz Kodra, historia e kombit tonë është bërë më fisnike dhe lufta jonë për liri më e respektuar nga të gjithë.
Nuk ishte asgjë e rastësishme, pse në altarin për liri e pavarësi ra Ilaz Kodra. Për të pasur një pjekuri patriotike çfarë e kishte Ilazi, duhej t’i kishte rrënjët tek një familje si familja atdhetare Kodra, të cilës i takonte. Për të pasur një dedikim çfarë e kishte Ilazi, duhej një edukatë të cilën ai e kishte fituar qysh në moshën e re. Dhe për të pasur një gatishmëri të fortë për flijim, çfarë e kishte ai, duhej ta kishte një bindje se, lirinë e meritojmë – e kjo atij nuk i mungoi deri në frymën e fundit të jetës.

Zonja dhe zotërinj, familjarë të nderuar,

Sot ne nuk kemi sfida të njëjta si ato të Ilaz Kodrës dhe shokëve të tij. Sot nuk kërkohen sakrifica si ato të atyre viteve të vështira. Për këtë i falemi deri në përkulje, Ilazit dhe atyre që punuan e luftuan si ai.
Por, edhe sot duhet të jemi bashkë për të shtyrë procese të rëndësishme përpara dhe për të ndërtuar gjëra të mëdha për vendin tonë.
Edhe sot na duhet atdhedashuri për t’i forcuar edhe më institucionet demokratike dhe për të marrë vendime të guximshme. Edhe sot na duhet maturi e mençuri për të vendosur drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe për të shtrirë sovranitetin në çdo pjesë të tij.
Respektin më të mirë që ne sot mund t’ia bëjmë heroit Ilaz Kodra dhe të gjithë të tjerëve që ranë për liri dhe pavarësi, është që ne të punojmë, me tërë dijen dhe vullnetin, për t’i demokratizuar dhe fuqizuar institucionet shtetërore, për ta zhvilluar ekonominë e vendit tonë, për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për ta bërë Kosovën pjesë të NATO–s, të Bashkimit Evropian dhe për ta vazhduar e begatuar miqësinë e përhershme me SHBA-të.
Sot, sikur asnjëherë më parë, na duhet idealizmi dhe vullneti i Ilaz Kodrës dhe shokëve të tij për t’i bërë qytetarët e Republikës së Kosovës krenar me shtetin e tyre.
Lavdi Heroit të Kosovës Ilaz Kodra!
Respekt dhe mirënjohje të përhershme Familjes Kodra!
Lavdi të gjithë dëshmorëve!