Ja ku do ta përmbyllin fushatën zgjedhore koalicionet dhe partitë politike (vendet)

07.06.2017 15:09:15

Qyteti i Prishtinës, të premten në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 qershorit, do të jetë në “atmosferë festive”. Kjo pasi subjektet e mëdha politike  kanë vendosur që përmbylljen e fushatës ta bëjnë në kryeqytet.

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit ka filluar më 30 maj, ndërsa përfundon  te premten më 9 qershor, shkruan lajmi.net.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA, do ta përmbyllë fushatën në sallën  ‘1 Tetori’ në Prishtinë, këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Bajrush Xhemajli.

Pallati i Rinisë në Prishtinë do të jetë vendi ku koalicioni LDK-AKR-Alternativa, do të përmbyllin fushatën. Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, kandidati për deputetë nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje e cila në zgjedhjet e 11 qershorit ka hyrë si e vetme, fushatën ka vendosur të përmbyllë në sheshin Skënderbe në Prishtinë në ora 21:00, ka treguar Shkodran Hoti, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Gjatë 10 ditëve të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, paritë politike ka dhënë premtime nga më të ndryshmet, ku fokusi ka qenë tek zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës.

Sipas organizatave të shoqërisë civile që kanë monitoruar fushatën, nuk ka pasur numër të madh të qytetarëve në tubimet elektorale.

Sipas të dhënave të Demokracia në Veprim,  nga  rreth 390 aktivitete sa janë vëzhguar,  vetëm në 20 prej tyre ka pasur 1000 e më shumë pjesëmarrës, ndërsa në pjesën tjetër pjesëmarrja sipas tij ka qenë nga 50 deri në 500 persona. Ai po ashtu ka thënë se në këtë fushatë po vërehet shfrytëzimi i resurseve publike.